Zgjedhje të parakohshme në Serbi, Vuçiç shpërndan Parlamentin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 tetor, në një zhvillim që pritet të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen politike të vendit.
Vendimi vjen rreth dy vite pas tragjedisë së Novi Sadit, e cila u shndërrua në pikën e nisjes së një vale të gjerë protestash të drejtuara kryesisht nga studentët. Lëvizja studentore ka vijuar prej muajsh të sfidojë qeverisjen e Vuçiçit dhe forcën politike në pushtet.
Në një adresim drejtuar qytetarëve serbë, Vuçiç argumentoi se klima e tensionuar politike dhe ndarjet e thella në shoqëri e kanë bërë të domosdoshme një rikthim te vota.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet më tej, pasi situata aktuale rrezikon të thellojë krizën politike dhe institucionale.
“Na duhen rezultate zgjedhore që do të përcaktojnë qartë dhe do të tregojnë se ku po shkon Serbia”, deklaroi Vuçiç.
Serbia përballë një tjetër përplasjeje me Brukselin
Zgjedhjet e reja parlamentare zhvillohen në një periudhë delikate për marrëdhëniet e Beogradit me Bashkimin Evropian.
Kritikat e fundit nga Brukseli lidhur me glorifikimin e figurave të dënuara për krime lufte, përfshirë Ratko Mladiçin, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes shqetësimet për standardet demokratike në Serbi, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe orientimin e politikës së jashtme të vendit.
Një tjetër pikë e fortë e përplasjes mbetet qëndrimi i Beogradit ndaj sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Pavarësisht këtyre kritikave, Vuçiç këmbëngul se Serbia duhet të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, pa hequr dorë nga marrëdhëniet tradicionale të vendit dhe nga ajo që ai e cilëson si ruajtje të krenarisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Unë ende besoj sot se Serbia ka zgjedhur rrugën e duhur evropiane, duke ruajtur miqësitë e saj tradicionale, krenarinë dhe dinjitetin kombëtar”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç synon postin e kryeministrit
Në një tjetër zhvillim me rëndësi, Partia Progresive Serbe, SNS, që drejton vendin, ka vendosur të garojë në zgjedhje nën siglën “Serbia e Bashkuar”.
Në kuadër të kësaj formule politike, Vuçiç është propozuar si kandidat për postin e kryeministrit.
Ky ndryshim do të kërkojë fillimisht largimin e tij nga posti i presidentit, pasi Kushtetuta serbe nuk lejon që të dy funksionet të mbahen njëkohësisht.
Vuçiç ka deklaruar më herët se synon të japë dorëheqjen gjatë këtij muaji.
Pas largimit të tij nga presidenca, detyrën e kreut të shtetit pritet ta marrë përkohësisht kryetarja e Asamblesë Kombëtare dhe ish-kryeministrja Ana Brnabiç, e cila është gjithashtu pjesë e SNS-së.
Sipas procedurave kushtetuese, presidenti i përkohshëm do të duhet të shpallë zgjedhje presidenciale brenda tre muajve. Kjo hap mundësinë që Serbia të përballet me një tjetër proces zgjedhor kombëtar vetëm pak kohë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Studentët, sfiduesi kryesor i pushtetit
Përballë SNS-së pritet të qëndrojë Lista e Studentëve, e cila është krijuar nga lëvizja që ka organizuar protestat masive pas tragjedisë së Novi Sadit.
Megjithatë, grupimi studentor ende nuk ka bërë publik zyrtarisht listën e kandidatëve dhe strukturën përfundimtare me të cilën do të garojë.
Partitë opozitare pro-evropiane kanë shprehur në pjesën më të madhe mbështetjen e tyre për lëvizjen studentore. Megjithatë, qëndrimet mbi pjesëmarrjen direkte në zgjedhje mbeten të ndryshme, me vetëm disa prej tyre që kanë sinjalizuar qartë se do të garojnë.
Ndërkohë, partitë e krahut të djathtë pritet të hyjnë në garë me lista të veçanta.
Zgjedhjet e tetorit mund të jenë ndër proceset më konkurruese në Serbi që prej ardhjes së Vuçiçit dhe SNS-së në pushtet në vitin 2012. Sondazhet e fundit e paraqesin partinë qeverisëse dhe lëvizjen studentore si dy forcat kryesore politike, duke e kthyer garën elektorale në një përballje me peshë të veçantë për të ardhmen politike të Serbisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



