Zgjedhjet e 11 majit, Berisha kërkon të ndiqet shembulli i fushatës së Trump: Të nisim sulmin elektoral deri në ditën e fitores
Kreu i PD, Sali Berisha ka mbledhur në një takim grupin e punës për Tiranën, duke dhënë porositë e tij për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sali Berisha tha nder te tjera se beteja për zgjedhjet e ardhshme kërkon që të trokitet në dyert e qytetarëve të Tiranës. “Të baltosemi nga këpucët në rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti”, tha kreu i PD.
Ish-kryeministri kërkoi që të ndiqet shembulli i fushatës elektorale të Donald Trump, i cili triumfoi përballë rivales Kamala Harris.
“Në përmbushje të këtij misioni ju takon ju së pari të riparoni cdo gabim që mund të jetë bërë në krijimin e këtij ekipi elektoral të kryeqytetit dhe të përfshini personalitete, influentë në zonat tona në mënyrë që të jemi sa më përfaqësues dhe sa më të fortë në këtë betejë. Kjo është një beteje e një rëndësie më e rëndësishmja. Ju garantoj se në një mënyrë apo tjetër, po të kemi parasysh pasojat shkatërrimtare demografike të këtij regjimi, PD nuk ka bërë betejë më të rëndësishme sesa kjo. Kjo betejë kërkon që ne pa ndërprerë të trokasim në dyert e qytetarëve të Tiranës, të baltosemi nga këpucët në rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti.
Ka një faktor i provuar në të gjitha kohërat si faktor suksesi dhe kjo është takimi me njerëzit. Kanë rëndësi të gjitha të tjerat, por në raste të caktuara, psh po të ishte për mediat Kamala Harris fitonte me 80 % garën me Presidentin Trump. Por fitimtarët e fituan me takime intenisve me qytetarët amerikane. Nuk u ankuan, shumë të rralla ankesat, megjithëse mediat në tërësi ishin kundër tyre. Pse unë marr shembull? Duhet të jemi të vetëdijshëm, për të gjitha ata që ndjekin fushatën elektorale, fushata elektorale që prin në botë me risitë e veta është fushata presidenciale e SHBA”, tha nder te tjera Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha denoncoi ministren Belinda Balluku se jep tendera në kundërshtim me ligjin. Në fjalën e tij gjatë takimi me grupin e Punës në Tiranë, ish-kryeministri tha se në 14 lote, firmos 14 kontrata për 13 km Unazë të Tiranës.
Berisha u shpreh se sa herë ai denoncon Ballukun, kjo e fundit shkon dhe del me një buldozer dhe skrap dhe duket sikur po punon, ndërsa theksoi se unaza është e parashikuar edhe në buxhetin e 2027.
“Tendera të fituara në kundërshtim me ligjin. Në 14 lote, 14 kontrata firmos Belinda Balluku për 13 kilometra unazë të Tiranës. Nuk ka në planet, kjo është për Guinness.
Po ne kemi ndërtuar Rrugën e Kombit 64 kilometra, një kompanie dhe e ka përfunduar brenda dy vitesh. Kemi përfunduar rrugën Ibë-Bradashesh për 20 muaj një kompani.
Ajo të nesërmen shkon atje, merr një buldozer dhe një skrap dhe duket sikur po punon vetë e thotë se unaza do përfundojë brenda këtij viti, paçka se e ka trupëzuar edhe në buxhetin e vitit 2027 punimet në unazë.
Pra, paratë që të gjitha janë. Nuk ka asnjë vështirësi.
Dhe unë ua them ju, këto premtime janë me rezerva. Askush të mos mendojë se janë maksimalizma. Unë personalisht bëj atë që mund të realizoj. Por prapë jam i bindur se këtu ka rezerva.
Sigurisht ne duhet të shkojmë tek çdo biznesmen i vogël, ata janë, jo vetëm këtu, por edhe në vendet e zhvilluara, gjenerator i punësimit dhe mirëqenies, programin e tyre do e bëjmë së bashku me ta”, tha Sali Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



