Zhdukja e Eglant Kocit, dëshmia e kamerierit në gjykatë
“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat dhe të laja makinën”
Detaje të reja kanë dalë nga seanca gjyqësore ndaj Enea Zyferit, i cili po hetohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koci, ngjarje e ndodhur më 4 qershor në Tiranë.
Gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës së Tiranës, Zyferi ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për fatin e Eglant Kocit.
“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Kocit. E njoh, sepse punoj si kamerier në lokalin e Armandit”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata vendosi ndaj Zyferit masën e sigurisë “arrest me burg”.
I dyshuari tregoi se ditën e ngjarjes kishte parë Eglant Kocin teksa hynte në lokalin ku ai punon, por më pas nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur me të.
“Punoj në lokalin e Armand Shakajt si kamarier. Ditën që thotë Prokuroria, e kam parë Eglantin kur ka hyrë në lokal, sepse e njoh. Më pas nuk e kam parë më dhe nuk e di nëse ishte larguar apo jo. Ndërkohë, Armand Shakaj më ka thënë t’i fikja dritat e lokalit, pasi kishte për të nxjerrë një frigorifer. Unë i kam fikur dritat. Të nesërmen, Armandi më ka thënë të shkoja të laja makinën në një vend larg aty, diku nga fundi i Bulevardit të Ri. Kam shkuar atje dhe më ka kapur policia. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, u shpreh Zyferi në gjykatë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Armand Shakaj i kishte kërkuar Eglant Kocit të shkonte për një takim në ambientet pranë shkollës “Ismail Qemali”, përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë.
Prokuroria dyshon se pikërisht në atë ambient Koci është mbajtur peng dhe më pas është vrarë. Hetuesit besojnë se për nxjerrjen e trupit nga objekti, Shakaj i ka kërkuar kamerierit të fikte dritat me arsyetimin se do të nxirrte një frigorifer.
Megjithëse energjia elektrike ishte ndërprerë, kamerat e sigurisë kanë arritur të regjistrojnë momentin kur një trup vendoset në automjet. Dyshimet e grupit hetimor janë se trupi i Eglant Kocit është transportuar dhe më pas është zhdukur në një zonë të thellë të Librazhdit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se është tentuar fshirja e gjurmëve që mund të lidhnin autorin me krimin. Sipas dyshimeve të policisë, motori i viktimës është dërguar në zonën e “5 Majit”, me qëllim devijimin e hetimeve dhe shpërqendrimin e autoriteteve.
Po ashtu, dyshohet se ambienti ku ka ndodhur ngjarja është pastruar me kujdes, ndërsa kamerierit i është kërkuar të dërgojë automjetin në lavazh për t’u larë.
Policia ka ngritur dyshime të forta se Eglant Koci është vrarë, pasi gjurmë gjaku janë konstatuar si në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng, ashtu edhe në automjetin që po hetohet në kuadër të çështjes.
Ndërkohë, Armand Shakaj është shpallur në kërkim policor për veprat penale që lidhen me mbajtjen peng dhe vrasjen e 34-vjeçarit.
Sa i përket motivit, hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me konflikte dhe mosmarrëveshje që kanë pasur si objekt portofolat e kriptomonedhave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



