Zjarret rikthejnë alarmin në Krujë dhe Tiranë
evakuohen 10 familje – 10 vatra aktive në vend
Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit, ndërsa gjatë natës flakët kanë përparuar sërish në Krujë dhe Tiranë, duke iu afruar banesave dhe detyruar disa familje të largohen.
Pas izolimit gjatë ditës së djeshme, zjarri në lagjen Abaze të Krujës është riaktivizuar dhe ka avancuar gjatë natës. Flakët u janë afruar banesave, duke bërë që disa banorë të largohen për shkak të rrezikut.
Situata rrezikon të bëhet përsëri kritike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Në të njëjtën kohë vijon djegia e vendgrumbullimit të mbeturinave në fshatin Kameras.
Tiranë, evakuohen 10 familje
Situatë e vështirë është regjistruar edhe në Tiranë. Tre vatra zjarri u shfaqën pasditen e së mërkurës në fshatin Daias, mes Lundrës dhe Priskës.
Gjatë ndërhyrjes së mbrëmjes së kaluar, flakët rrezikuan edhe jetën e zjarrfikësve. Në operacion asistuan gjithashtu dy helikopterë.
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, bëri të ditur se janë evakuuar 10 familje. Sipas tij, zjarri ka përfshirë edhe dy ose tre objekte të pabanuara, të cilat janë djegur.
Helikopterët kanë ndërhyrë gjithashtu në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, ndërsa një grup zjarrfikësish ka punuar në Priskë të Madhe. Në këto zona, fatmirësisht, nuk është raportuar rrezik për banesat.
Për shkak të përmasave të zjarrit, policia bllokoi qarkullimin në aksin rrugor që lidh Tiranën me Lundrën dhe Daiasin. Bllokimi u vendos në hyrje të Mulletit, duke mos lejuar automjetet të vijojnë drejt zonës së përfshirë nga flakët.
Si pasojë e situatës, në Lundër pritet të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Digjet masivi pyjor në Lurë
Një tjetër vatër problematike vijon në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër, ku zjarri po djeg masivin pyjor me pishë të zezë dhe bredh.
Në rang vendi raportohen 10 vatra aktive zjarri. Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 450 forca operacionale, dy avionë “Air Tractor” dhe tre helikopterë, në përpjekje për të izoluar dhe shuar flakët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



