E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zmbrapset Qeveria/Tërhiqet nga ideja që Ushtria e Kosovës të formohet me ligj
Lajme

Zmbrapset Qeveria/Tërhiqet nga ideja që Ushtria e Kosovës të formohet me ligj

Shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në fillim të kësaj jave tha se Ushtria e Kosovës do të formohet me anë të ligjit e jo me ndryshime kushtetuese, nëse një opsion i tillë vazhdon të kundërshtohet edhe më tej nga Lista Serbe.

Ky lajm nuk u prit mirë nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku nëpërmjet një përgjigje për lajmi.net, tha se Ushtria e Kosovës duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.

“Ne kemi nxitur qeverinë që të punojë metodikisht për tranzicionin e FSK-së dhe që të vazhdojë me fushatën e saj brenda Kosovës si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar përkrahje maksimale për këtë tranzicion. SHBA-të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin e FSK-së përmes një ndryshimi kushtetues”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për lajmi.net.

Megjithëkëtë, tani nga qeveria thotë se janë të vetëdijshëm se krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, e jo me ligj. Kështu është përgjigjur për lajmi.net, shefi i stafit të kryeministrit, Avni Arifi.

“Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme që finalizimi i procesit të transformimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës të Forca e Armatosur e Kosovës bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese”, ka thënë shkurt Arifi.

Përgjigja e Arifi lë të kuptohet se Qeveria është zmbrapsur nga ajo që kishte thënë Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri në një emision televizivë të martën tha se e ka kthyer prapa projektligjin për ushtrinë, pas mbërritjes në tavolinën e tij.

“E kam kthyer ligjin. Ka qenë në Qeveri. E kam kthyer prapa, se ka paraparë ndryshime kushtetuese”, ka treguar Haradinaj.

Arsyetimi i kryeministrit që Ushtria të bëhet me anë të ligjit ishte mungesa e dy të tretave të votave në Kuvend të Kosovës që do pamundësonte ndryshimet kushtetuese, andaj ka kërkuar që projektligji të ndryshohet, në mënyrë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm nëpërmjet ligjit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.