E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zoti fali se nuk nuk dinë çfarë bëjnë!
Publik News

Zoti fali se nuk nuk dinë çfarë bëjnë!

Nuk pe se si sot e vranë historinë e Gogolit, Sheksipirit, Molierit, Ibsenit e deri te Mihal Luarasi, Dritëro Agolli e Jakov Xoxa.

Nuk pritën as që agimi të vinte, por e kryen masakrën me natë, njejtë si kalaja e lashtë e Rozafës, që ngrihet krenare mbi Bunën e gjanë.

Nuk përjetove shkatërrimin e themeleve të godinës, ku dhanë shpirtin Besa Imami, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Agim Qirjaqi, Bujar Lako dhe Sandër Prosi…

Nuk dëgjove se si na quajtën të vdekur edhe kur merrnim frymë, me preteksin se nuk e duam dhe vlerësojmë të renë, modernen dhe të bukurën.

Nuk ngushëllove Neritan Liçajn, i cili pas pesë orësh në komisariat dhe dhjetëra orësh pa gjumë, ulej në bar dhe ëndërronte që një ditë kur të hapte sytë gjithçka të ishte si më parë. As Edmond Budinën, që kërkonte ndjesë shqiptarëve, thua sikur e shëmbi ai historinë. As ata që nuk panë asnjëherë asnjë shfaqje, por që ndërtesa i shërbente për t’i treguar pasardhësve se kultura nuk shitet.

E për ironi të fatit kur bota t’i tregojë turistëve ndërtesat që Orhan Pamuk ka reklamuar nga Stambolli apo Gabriel Garcia Marquez nga Barrankija e Kolumbisë, ne do të kemi një më pak nga Ismail Kadare.

Dhe kur një ditë të lexojmë ‘Dimrin e Vetmisë së Madhe’, pjesën në të cilën përshkruhet salla, llozha dhe galeria do të ndërrojmë faqe. Fundja s’do kemi çfarë të themi tjetër.

“Salla e teatrit, llozhat dhe Galeria ishin plot. Ata i kishin vendet në plate duke kaluar në korridorin midis ndjenjësve me kadife të kuqe, Zanës i ranë në sy se në sallë kishte shumë vajza dhe gra të veshura bukur. Ato rrinin me atë mospërfillje të veçantë që rrinë njerëzit në teatër, duke ndjekur me një vështrim neutral, pak të lodhur ata që vinin të fundit… asaj i pëlqenin afishet që viheshin kudo nëpër qytet, turma që mbushte sheshin para teatrit, njerëzit që të prisnin rrugën në çdo hap për të pyetur: ‘A keni biletë tepër.’ I pëlqente sidomos atmosfera brenda hollit dhe sallës ku ndjehej ekzistenca e zhurisë dhe një lloj ekstravagance e përmbajtur e studentëve të shkollës së lartë të arteve, të cilët frekuentonin gratis të gjitha shfaqet.”

Maks Velo më mirë që ike dhjetë ditë më parë, të paktën tani nga lart thua: “Zoti fali se nuk nuk dinë çfarë bëjnë!”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.