E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zv/ kryeministrja Belinda Balluku paraqitet në SPAK për inceneratorin e Tiranës
Lajme

Zv/ kryeministrja Belinda Balluku paraqitet në SPAK për inceneratorin e Tiranës

Zv/kryeministrja Belinda Balluku është paraqitur në SPAK pak momente më parë.

Sipas informacioneve ajo po merret në pyetje nga një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Paraprakisht dyshohet se Balluku është thirrur si person që ka dijeni, lidhur me hetimet që po kryen për inceneratorin e Tiranës. Fletë-thirrja mban firmën e prokurorit Dritan Prençi, i cili po heton aferën e inceneratorëve.

Balluku bëhet zyrtarja e radhës që thirret në SPAK. Aktualisht lidhur me inceneratorët janë në qeli ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako. Pak ditë më parë u thirr po ashtu kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë absurdi është se bosët e inceneratorëve janë ende në arrati. Edhe pse janë dënuar me vendim nga gjykata, ata nuk dihet se nga bredhin me paratë e qytetarëve.

Dënimet për inceneratorin e Fierit

Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet heqje lirie ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për dosjen e inceneratorit të Fierit, por ai përfiton zbritje në 6 vjet e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar.

Dënimi u lehtësua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie për Alqi Bllakon, si pasojë e ndryshimit të akuzës. Për të SPAK kishte kërkuar 7 vjet burg ose 4 vjet e 8 muaj, por ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, mori pafajësi për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”, dhe vepra penale iu rikualifikua në “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”.

Biznesmeni Klodian Zoto u shpall fajtor për akuzën “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” dhe mori pafajësi për akuzën, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai u dënua me 12 vjet burg, i cilësuar fajtor edhe për “skema mashtruese me TVSH-në” dhe pastrim “pastrim parash” duke përfituar zbritje në 8 vjet nga gjykimi i shkurtuar.

Ish-administratori i incineratorit të Fierit, Loran Dusha u shpall i pafajshëm për “korrupsion aktiv”, por fajtor për “pastrim parash” dhe u dënua me 7 vjet burg, duke përfituar zbritjen në 4 vjet e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar.

I njëjti dënim me 7 vjet burg, të zbritura në 4 vjet e 8 muaj heqje lirie u dha edhe për Arbër Denizin, i cili akuzohej për çështjen e punimeve në incineratorin e Fierit. Ish-drejtori i ministrisë së mjedisit Pellumb Abeshi, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, por me gjyq të shkurtuar përfitoi zbritjen në 2 vite e 4 muaj burg, të cilat në fund u konvertuan në shërbim prove.

Dy të pandehurit Florian Muçaj dhe Azem Shatëri, u dënuan me nga 3 vite burg, por përfituan zbritje në dy vjet me gjyq të shkurtuar dhe u lanë të lirë, për shkak se e kanë kryer dënimin me paraburgim. Erjon Murataj, ish-anëtar i Komisionit të Prokurimit u dënua me 3 vite burg, dhe përfitoi uljen në dy vjet me gjyq të shkurtuar. Të akuzuarit e tjerë, Regan Merdani dhe Gentian Zifla u dënuan me 3 vite burg të cilat u pezulluan për tu konvertuar në shërbim prove.

E pandehura Sabina Cenameri mori një dënim me 3 vite burg por u la në shërbim prove pasi ka një fëmijë të mitur. Zv.presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, i akuzuar në cilësinë e supervizorit të punimeve në inceneratorin e Fierit, mori pafajësi për akuzat falsifikim dokumentesh dhe korrupsion.

Dënimet për inceneratorin e Elbasanit

Gjykata e Posaçme për incenratorin e Elbasanit dënoi ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka me 5 vjet e 8 muaj burg për korrupsion e shpërdorim detyre.

Ish-deputeti Alqi Bllako mori pafajësi.

Biznesmeni Klodian Zoto, u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vite burg, por me gjykim i shkurtuar përfitoi zbritjen në 6.8 vjet heqje lirie. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.

Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO vulosi dënimin me 2 vjet burg dhe anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por me gjykim i shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet burg. 1.4 vite do të vuaj edhe ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.