Zyrtare: Mandzukic largohet nga Kombëtarja e Kroacisë, shkruan një letër emocionale
Mario Mandzukic zyrtarisht është larguar nga Kombëtarja e Kroacisë pas 12 viteve ku ka bërë 89 paraqitje dhe ka shënuar 33 gola.
Këtë lajm e ka konfirmuar faqja zyrtare e Kombëtares së Kroacisë, po ashtu edhe vetë lojtari e ka shpërndarë lajmin në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, transmeton Gazeta Express.
Ai e ka shkruar një letër emocionale për përkrahësit dhe fansat e tij:
Të dashur fansa.
Unë gjithmonë kam dashur që të flas në fushë sesa jashtë saj.
Prandaj, këto fjalë dalin me më shumë vështirësi se sa dorëzimi para një kundërshtari ose vrapimi për 120 minuta. Më i vështirë, sepse e di sa shumë lumturi më sjellin grumbullimet, ndeshjet dhe fitoret. Më i vështirë, sepse e di kënaqësinë e dëgjimit të himnit tonë të bukur.
Më i vështirë, sepse e di se çfarë krenarie është veshja e fanellës së Kroacisë dhe përfaqësimi i vendit tënd. Më i vështirë, sepse e di që më në fund erdhi fundi i këtyre fjalëve pas rikthimit.
Prapë se prapë, e di që është koha e duhur për këto fjalë…
Unë po largohem nga Kombëtarja e Kroacisë.
Sado që medalja e argjendtë më ka mbushur me energji, ajo edhe e ka bërë më të lehtë për mua marrjen e këtij vendimi të pamundur. Ne i kemi përjetuar ëndrrat tona, kemi arritur sukses historik dhe kemi ndjerë dashurinë e mrekullueshme të tifozëve. Këtë muaj, bashkë me ardhjen në Zagreb, Slavonski Brod dhe në të gjithë Kroacinë, do të mbetet gjithmonë në memorien time. Ishte udhëtimi më i bukur me skuadrën dhe kthimi më i mirë ndonjëherë në shtëpi. Jam i lumtur, i emocionuar dhe krenar për medaljen e argjendtë, për të cilën kemi luftuar për shumë vite, me shumë momente të punës, mundit e zhgënjimit.
Asnjëherë nuk ka kohë ideale për t’u larguar. Nëse do të mundeshim, atëherë besoj se të gjithë do të luanim për Kroacisë për aq sa të jetojmë sepse nuk ka krenari më të madhe. Por, ndjej se koha e duhur për mua është tani. Kam bërë më të mirën time për t’i kontribuar suksesit të mrekullueshëm të futbollit të Kroacisë.
Para 14 viteve, për herë të parë, si lojtar i ekipit të rinjve, unë po veshja një bluzë që më sillte fat. Që nga atëherë, kam takuar, luajtur dhe punuar me shumë lojtarë të mrekullueshëm, trajnerë dhe njerëz të tjerë rreth skuadrës. Të gjithë e kishim qëllimin e njëjtë, t’i sjellim Kroacisë suksese. I falënderoj të gjithë sepse që të gjithë, në një mënyrë, kanë lënë një shenjë në karrierën time. Gjatë rrugëtimit tonë, ata gjithmonë ishin shokët e mi më të mirë dhe i falënderoj për mbështetjen e mrekullueshme.
Dhe në fund, faleminderit tifozëve. Askush nga ne nuk është perfekt, nganjëherë unë kam humbur mundësi të mira për të shënuar gol, e kam humbur topin dhe nuk i kam kuptuar pasimet e bashkëlojtarëve. Por, gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe e kam lënë zemrën time në fushë. Faleminderit që e keni vërejtur këtë dhe që keni qëndruar pranë meje dhe skuadrës.
“Që nga sot, unë do të jem me ju, me tifozët më të spikatur të Kroacisë”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



