Zyrtarizohet miqësorja, Shqipëria përballet me Izraelin në “Air Albania”
Muaji qershor do të jetë një moment i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, e cila do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në Air Albania, duke i shërbyer stafit teknik për të testuar formën dhe alternativat në prag të angazhimeve zyrtare.
Kuqezinjtë do të zbresin fillimisht në fushë më 3 qershor, në orën 20:00, përballë Izraelit. Ky takim merr një rëndësi të veçantë, pasi do të jetë përballja e shtatë mes dy skuadrave në histori, por e para që zhvillohet në kuadër miqësor. Deri më tani, të gjitha përballjet mes tyre kanë qenë të lidhura me fazat kualifikuese të turneve madhore ndërkombëtare.
Në aspektin statistikor, bilanci nuk është në favor të Shqipërisë, me dy fitore dhe katër humbje ndaj izraelitëve. Megjithatë, një ndeshje miqësore mbetet gjithmonë një mundësi për të ndryshuar ritmin dhe për të provuar elementë të rinj në skuadër.
Tre ditë më vonë, më 6 qershor, po në të njëjtin orar, Shqipëria do të rikthehet në fushë për një tjetër test, këtë herë ndaj Luksemburgut. Edhe kjo sfidë do të zhvillohet në të njëjtin stadium në Tiranë, duke i dhënë tifozëve mundësinë të ndjekin nga afër dy përballje interesante brenda pak ditësh.
Këto ndeshje pritet të shërbejnë si një panoramë e qartë për gjendjen aktuale të ekipit, si dhe për të ndërtuar një bazë më solide në funksion të objektivave të ardhshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



