Hipokritë që qani për Xhorxhin në Amerikë dhe vratë një 15-vjeçare në Kamëz
Ka tre ditë që në media është bërë publike historia rrëqethëse e përdhunimit në grup të 15-vjeçares në Kamëz, nga 65-vjeçari pedofil Abaz Doku dhe tre të rinj, djem në po atë lagje.
Shpresoj që për këtë ngjarje të mos ketë vend shprehja “çudia më e madhe zgjat tri ditë”. Jo për gjë, por kjo vetëm çudi nuk mund të quhet, të paktën në një vend si ky i yni, ku të tilla ngjarje monstruoze përsëriten vazhdimisht.
Kështu tha edhe Avokatja e Popullit ditën që u bë publik lajmi. “Jemi të shqetësuar sepse raste të tilla po përsëriten, duhet siguri më e lartë në institucione arsimore”. Mirëpo deri këtu, nuk shkon më lartë reagimi. As ministrja e Arsimit, as ministri i Brendshëm, as ndonjë drejtues policie nuk ka reaguar, në mos zyrtarisht, të paktën njerëzisht…
Siç ndodh rëndomë, momentet e para kur ngjarja u bë publike, nuk iu dha ndonjë rëndësi e madhe, por orë pas ore u zbardhën detaje shokuese, që tronditën mbarë opinion publik, e megjithatë reagimi mbetet përsëri në nivele të ulëta.
Mesa duket shqiptarët janë më të shqetësuar se çfarë po bëhet në Amerikë pas vdekjes së Xhorxh Flojd. Mos ndoshta ngjarjet duhet të ndodhin jashtë-shtetit, të jenë njerëz me ngjyrë apo të ketë vdekje që shoqëria jonë të reagojë?
Afro-amerikanët, por edhe amerikanët e bardhë kanë dalë nëpër rrugët e Amerikës dhe po i vënë zjarrin vendit, vetëm se një polic racist vrau (ndoshta edhe padashje) një afro-amerikan. Por ne çfarë bëjmë? Pse flemë dhe nuk ngrihemi të reagojmë për atë vajzën e mitur që për shumë arsye, ra pre e abuzimeve dhe keqtrajtimeve të një plaku pervers dhe të disa djemve që nuk e di a kanë vetë motra, që shtyhen të mendojnë dhe veprojnë në atë mënyrë me një të mitur.
Ata ishin 15, 16 dhe 20 vjeç, adoleshentë. Ku është roli i institucioneve edukuese dhe familjes në këtë rast. Ju që reagoni nëpër rrjete sociale R.I.P George Floyd, pse nuk reagoni për 15-vjeçaren? Apo nuk ka rëndësi një e mitur në Kamëz, aq shumë sa një afro-amerikan në Minesota? Po sikur të ishte motra juaj, vajza juaj, do mjaftoheshit vetëm me një shkrim në Instagram dhe Facebook?
E rëndë është fakti se kjo histori nuk ka tri ditë apo tri javë e tri muaj, por më shumë se tri vjet. Çfarë emri mund t’i vihet Abaz Dokut? Pedofil, manjak, pervers, kriminel, sociopat?
E përndiqte vajzën që kur ishte roje në shkollën ku mësonte ajo, qysh kur vajza ishte në klasë të gjashtë. E kërcënonte, e shantazhonte, e përndiqte. Shkruante emrin e saj në mure, fjalë nga më të rëndat dhe kërcënime monstruoze. Gjatë momenteve intime kishte bërë filmime, në mënyrë që ta mbante vajzën nën presion. Filmimet ua kishte dhënë dhe të rinjve, të cilët nuk janë nga ata të rinj që flasin me prindërit për të tilla ngjarje, që edukohen mbi libra e frekuentojnë shkollën, por nga ata të rinj që vrasin kohën me porno, me cigare hashashi e bixhoz në cepa pallatesh.
Që plaku pedofil e kishte përdhunuar vajzën prej vitesh e dinte gjithë zona, dhe shkolla, dhe familjet, por nuk fliste njeri. Nuk fliste njeri se kishin frikë, nuk kishin besim te drejtësia, e cila tanimë nuk duhet të mjaftohet me vënien pas hekurave të 65-vjeçarit, vetëm për disa muaj e ta lërë të lirë nesër, të përndjekë vajza të tjera.
Sot është 1 qershori, festa e fëmijëve. Jam i sigurt që ajo 15-vjeçare nuk po feston, por po lëngon. Jo nga dhimbja fizike, por nga ajo psikologjike e shpirtërore, që është 100 herë më e madhe. Sot vëllai i 15-vjeçares nga Kamza, e cila u abuzua seksualisht nga 65 vjeçari Abaz Doku dhe tre të rinj ka dhënë dëshminë e tij.
I ftuar në një emision televiziv ai ka thënë se motra nuk fliste fare dhe as nuk flinte, por vetëm qante. Ai ka treguar se të motrën e tij e merrnin me makinë dhe e dërgonin në një godinë 1 km larg shkollës, ku abuzonin me radhë. I pafuqishëm, i këputur në shpirt e me lot në sy, ai tha se e gjithë lagja e dinte, madje edhe mësuesja, pasi ishin përhapur fotot e videot, por askush nuk fliste. Ndoshta donin të flisnin, por nuk e bënë. Vendosën të heshtnin dhe të bëheshin palë më abuzuesit pedofilë.
Ndërkohë babai i 15-vjeçares në Kamëz ka treguar se Abaz Doku e ngacmonte vajzën e tij që kur ishte në klasë të gjashtë dhe këtë shqetësim ia kishte shprehur dhe familjarëve të 65-vjeçarit. Më tej i ati i të miturës thotë për mediat se me ngjarjen e rëndë është njohur para 6 muajsh nga gruaja. Vetë ai e kishte parë videon, por nuk reagoi.
I poshtëruar, i vrarë në shpirt, i ati i të miturës kërkon drejtësi. “Nëse nuk do ketë drejtësi do ta vras vetë”, tha ai. Sigurisht vrasja nuk është zgjidhje, por çfarë mund të thotë tjetër një prind i shkatërruar shpirtërisht dhe që ndodhet në një presion të madh shoqëror. E kanë prekur aty ku një baba nuk duron dot, te vajza e tij, tek drita e syve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



