4-AM “mashë” Bashkim Ulaj merr 5 milionë euro tender nga Balluku
Firma “4-AM” prej shumë vitesh është një nga fitueset më të mëdha të fondeve publike. E drejtuar me letra nga Ardit Metaliaj, ka dyshime të forta se në të vërtetë pronari real është Bashkim Ulaj. Kjo firmë ka dyshime se përdoret si një “mashë” nga ana e Ulajt për të fituar tendera në mënyrë që të mos i dalë emri.

Në rastin konkret firma “4-AM” ka fituar një tender prej gati 5 milionë euro përfshirë TVSH nga Drejtoria e Tensionit te Larte OSSH sh.a. Kjo e fundit është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku.
Më konkretisht bëhet fjalë për një procedurë prokurimi me objekt “Ndërtimi i N/Stacionit të ri Akërni 110/35/20 kV dhe zhvillimi i linjës 35 kV Akërni-Aeroporti i Vlorës”. Fondi limit i tenderit është në vlerën 426,996,516 lekë të reja pa TVSH ose rreth 5 milionë euro me TVSH.

Nëse hulumtojmë dokumentat e këtij tenderi, do të shikojmë se ka marrë pjesë vetëm kompania “4-AM”, e cila e ka patur mjaft të lehtë të fitojë pasi nuk ka patur asnjë konkurrent. Pikërisht fituese është shpallur “4-AM” për një vlerë që shkon rreth 5 milionë euro me TVSH.
Siç ndodh mjaft shpesh në të tilla tendera të dyshimtë, edhe këtu shikohet se vlera fituese është thuajse identike me vlerën e fondit limit, konkretisht sa 96% e tij.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



