“500 raste në ditë”, çfarë po ndodh në urgjencën e QSUT-së
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, deklaroi se Covid-19 vijon të qarkullojë në Shqipëri, kryesisht në forma të lehta, por shtoi se situata nuk paraqitet alarmante.
“Covid-i nuk ka ikur asnjëherë! Stratus ose XFG është variant i Omicron. Edhe tek ne ka pasur raste, deri në 500 në javë. Të gjitha këto – temperaturat, virozat – janë kryesisht Covid-i,” – tha Brataj, duke theksuar se viruset janë gjithmonë të pranishëm dhe aktivizohen si në të nxehtë, ashtu edhe në të ftohtë.
Ai shtoi se simptomat kryesore të virozave të stinës janë të ngjashme me ato të gripit apo Covid-it, të cilat shfaqen kryesisht nga fundi i verës deri në muajin mars.
I pyetur nëse varianti aktual i Covid-19 mund të çojë në fatalitet, Brataj u shpreh:
“Çdo sëmundje mund të çojë në fatalitet tek një person me patologji apo imunitet të ulët. Por te personat me shëndet të mirë, nuk ka probleme serioze. Personat e sëmurë e kalojnë më vështirë, dhe në disa raste Covid-i mund të çojë deri në rrezik jete.”
Sipas tij, shumica e popullatës tashmë e ka kaluar Covid-in, shpesh pa e ditur.
“Fatmirësisht 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin sëmundje dhe shumica e tyre nuk kanë simptoma. Rastet më të shpeshta në urgjenca janë virozat dhe problemet respiratore. Pati një rritje të tyre kohët e fundit, edhe për shkak të fluksit të turistëve në vend,” – shtoi Brataj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



