51 ditë protestë, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës: Shqipëri e re
Rezistenca qytetare ka hyrë në ditën e saj të 51-të, duke u shndërruar në një nga mobilizimet më të gjata dhe më të qëndrueshme të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit. Kjo lëvizje po konsiderohet nga pjesëmarrësit si një moment i rëndësishëm në historinë e pluralizmit në vend, për shkak të vazhdimësisë dhe pjesëmarrjes së gjerë.
Çdo mbrëmje, mijëra qytetarë grumbullohen në bulevardin përballë godinës së Kryeministrisë, ku mbahen fjalime dhe më pas zhvillohet një marshim në rrugët kryesore të Tiranës. Mesazhi i protestës mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar: largimi i qeverisë dhe dorëheqja pa kushte e kryeministrit Edi Rama.
Edhe në ditën e 50-të, protesta u karakterizua nga një pjesëmarrje e konsiderueshme. Tubimi nisi në orët e mbrëmjes në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt Kryeministrisë, ku protestuesit artikuluan kërkesat e tyre dhe përsëritën thirrjet për ndryshim politik.
Marshimi vijoi në rrugët e kryeqytetit nën thirrje dhe slogane që shënjestrojnë qeverinë dhe institucionet, duke reflektuar pakënaqësinë e akumuluar të qytetarëve. Në fokus të thirrjeve ishin edhe akuza ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë kërkesa për hetime dhe përgjegjësi politike.
Organizatorët kanë bërë të qartë se mobilizimi nuk do të ndalet. Ata paralajmërojnë vijimin e protestave në ditët në vijim, duke theksuar se qëllimi mbetet i pandryshuar deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



