90 minuta larg ëndrrës, Shqipëria më pranë se kurrë Botërorit
SKENARI
Fitorja historike 0-1 ndaj Serbisë në Leskovac ka ndryshuar totalisht ecurinë e Grupit K. Pas gjashtë ndeshjesh, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 11 pikë, ndërsa Serbia mbetet në kuotën e 7 pikëve, por me një ndeshje më pak.
Në këtë moment, duket se beteja për vendin e dytë, që siguron kualifikimin në fazën Play Off të Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet mes këtyre dy skuadrave.
Çfarë i duhet Shqipërisë për të kaluar në fazën Play Off?
Nëse Shqipëria fiton ndaj Andorrës në transfertë më 13 nëntor, atëherë kuqezinjtë ngjiten në 14 pikë.
Kjo do të thotë që nëse edhe humbasim ndaj Anglisë në “Air Albania” më 16 nëntor, Serbia duhet të fitojë të tria ndeshjet e saj që të na parakalojë:
14 tetor: Andorrë – Serbi
13 nëntor: Angli – Serbi
16 nëntor: Serbi – Letoni
Por çelësi është Anglia. Serbia duhet të mposhtë Anglinë në Londër, gjë që duket mision i pamundur. Në rast humbjeje ndaj Anglisë, Shqipëria praktikisht siguron vendin e dytë, nëse fiton ndaj Andorrës.
Rëndësia e golaverazhit
Nëse ndodh një barazim në pikë mes Shqipërisë dhe Serbisë në fund, kriteri i parë vendimtar është golaverazhi i përgjithshëm. Aktualisht:
Shqipëria: +3
Serbia: –2
Kjo i jep një avantazh të qartë Shqipërisë, dhe e detyron Serbinë jo vetëm të marrë pikë, por të përmirësojë ndjeshëm golaverazhin në tri ndeshjet e mbetura.
Çfarë ndodh në fazën Play Off?
Edhe nëse Shqipëria mban vendin e dytë, kjo nuk e dërgon direkt në Botëror. Kombëtarja do të kalojë në fazën e Play Off-it, ku përfshihen:
12 skuadrat që përfundojnë të dyta në grupet e kualifikimeve
4 ekipe nga UEFA Nations League 2024–25, që nuk janë kualifikuar nga grupet
Këto 16 ekipe do të ndahen në 4 grupe nga 4 skuadra, dhe do të luajnë gjysmëfinale dhe finale me eliminim direkt (vetëm një ndeshje për secilën fazë). Fituesi i çdo grupi do të sigurojë biletën për Kupën e Botës 2026.
Ndeshjet e mbetura
Shqipëria
13.11 – Andorrë – Shqipëri (20:45)
16.11 – Shqipëri – Angli (18:00)
Serbia
14.10 – Andorrë – Serbi (20:45)
13.11 – Angli – Serbi (20:45)
16.11 – Serbi – Letoni (18:00)
Në këtë moment, fati është në duart tona. Një fitore ndaj Andorrës, dhe një “ndihmë” nga Anglia ndaj Serbisë, do t’i mjaftonin Shqipërisë për të shkruar një tjetër faqe historike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



