Privatësia e shkelur me të dhënat personale
AV.DENISA DAKA 
Është bërë e udhës që, fill pas publikimit të një ngjarjeje nga aksh media, agjencitë apo strukturat përkatëse të zgjohen e shkunden, duke kuptuar së fundmi se duhet të lëvizin e funksionojnë.Një tjetër problem penalizon, përpos gjithë të tjerave, qytetarët e këtij vendi, minorenët kryesisht, ndërsa të dhënat personale, cenohen e shkelen çdo ditë nga subjekte e për shkaqe të ndryshme, publiciteti kryesisht, duke u përdorur a shfaqur në publik pa kriter.
Çdonjëri prej nesh ndeshet kudo çdo ditë me një absurd të ri për këtë shkak.
Publikimi i të dhënave personale dhe jetës private të shtetasve, posaçërisht në rastet kur sekush është subjekt hetimi apo gjykimi, përbën një precedent të rrezikshëm, ndërsa shkelja e këtyre të drejtave përbën përveçse vepër penale dhe një mundësi të humbur për secilin, me kosto të konsiderueshme në imazh.
Ente të ndryshme private a shtetërore, klinika a njësi shërbimi gjithashtu, rreken të kërkojnë e publikojnë ditë pas dite të dhëna personale të secilit prej nesh, në rast të kundërt të refuzohet shërbimi a përfitimi i një shërbimi.
Pakkush ka dijeni për ekzistencën e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili përcakton qartazi rregulla e detyrime taksative në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, jetës private gjithashtu, duke parashikuar sakaq kufizime dhe sanksione në rastet e konstatimit të shkeljes së këtyre të drejtave.
Referuar ligjit përkatës, të dhënat personale përpunohen apo merren nga çdo ent përkatës publik apo privat, veç nëse subjekti jep pëlqimin e tij për këtë qëllim, në rast të kundërt askush nuk mund të marrë të dhënat e shtetasve, si klient, bashkëpunëtor apo në çdo cilësi tjetër, përveçse në raste të posaçme kur këto të dhëna janë një referencë e domosdoshme për kryerjen e veprimeve përkatëse.
Në rast të kundërt, çdo shkelje kundra këtyre të drejtave është e dënueshme sipas ligjit.
Për këtë arsye, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të ndërmarrë hapa konkretë për informimin e enteve përkatëse e jo vetëm, pasi evidentimi dhe ndjekja e këtyre rasteve me ardhjen e pasojave nuk do të kishte më kurrfarë vlere për secilin prej nesh.
Përpos të tjerave është me vend që në rastet e konstatimit të shkeljeve përkatëse, të urdhërohet menjëherë bllokimi, fshirja dhe shkatërrimi i këtyre të dhënave, masa këto që do t’i paraprinin ekspozimit të këtyre rasteve, në mbrojtje e në respekt të lirive e të drejtave kushtetuese te secilit prej nesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



