Ngjela e quan injorant të paguar nga Serbia, Nano: Jam i shokuar!
Gazetari dhe shkrimtari Mustafa Nano reagoi pas valës së qëndrimeve kundër tij.
Nano ka publikuar një libër në UET-Press dhe ka bërë disa deklarata para studentëve të UET, që kanë zgjuar një revoltë në rrjetet sociale.
I fundit që reagoi ishte avokat Spartak Ngjela, që e quajti “injorant të paguar nga Beogradi”.
“Lufta kundër Gjergj Kastriotit, lidhje e nëndheshme midis islamit radikal dhe Beogradit kundër Shqipërisë,” shprehet Ngjela.
Vetë Nano thotë se ka mbetur i shokuar.
“Jam pa fjalë. Nuk po kuptoj asgjë. Kjo është një çmenduri që ndodh në Shqipëri, e në vende që qeverisen mbi bazën e sheriatit. Pas kësaj histerie, po pres të më lëshojnë një fatva,” tha Nano për Panoramën.
Ai vazhdon të mbrojë tezën e tij se nëna e Skënderbeut ishte sllave.
“Nëse ky nuk është rasti i Skënderbeut, është rasti i shqiptarëve të tjerë të asaj kohe, është rasti i Balshajve që i kanë preferuar ca si shpesh martesat me ‘shkjetë’. Duhet të themi që Balshajt janë maskarenjtë më të mëdhenj të historisë sonë? Duhet të themi se ata i kanë hedhur baltë vetes, si ajo balta që unë më i ligu i shqiptarëve, i paskam hedhur Skënderbeut duke e bërë me nënë serbe?”
“Jam i shokuar që njerëz publikë në vitin 2017, siç e thashë, i zë tartakuti prej fjalës ‘sllav’, që lëndohen kur u vihet në diskutim pastërtia e supozuar racore e një personazhi historik. Më janë dukur si të sëmurë mendorë. Për të mos folur pastaj për atë idiotin që nuk e pati për gjë të më bënte islamik të paguar”.
Më poshtë gjeni reagimin e Spartak Ngjelës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




