Zgjedhjet në PD ankesa nga Selami
Në një deklaratë për mediat të bërë rreth 2 orë nga mbyllja e procesit zgjedhor, kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka akuzuar rivalin e tij Lulzim Basha se përmes ndikimit ka prishur neutralitetin e garës.
“Këto zgjedhje kanë filluar si të pabarabarta dhe kjo pabarazi është verifikuar në disa probleme që kanë dalë. Disa komisionerë kanë ndërhyrë dhe kanë prishur neutralitetin, duke u kërkuar votuesve që të votojnë zotin Basha”, ka thënë Selami.
Ai është shprehur se edhe prania e fotos së Lulzim Bashës në qendrat e votimit përbën një anomali, që bashkë me probleme të tjera, të denoncuara prej tij, nuk janë zgjidhur.
“Ai është miku im, por miqësia mënjanë, ai ose nuk di rregullat e demokracisë, ose ka shkelur neutralitetin. Megjithëse ky proces është i paplotë, nuk dua ta paragjykoj pasi është ende shpejt për një qëndrim përfundimtar”, ka thënë Selami.
Sa i takon procesit të numërimit, Selami ka thënë se do të ishte mirë që ai të bëhej në rrethe, ku po votohet, dhe jo në selinë e PD në Tiranë.
Ndërsa lidhur me bojkotin e propozuar nga ish-deputeti Astrit Patozi, Selami ka vlerësuar se, bojkoti nuk është një opsion në demokraci.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Selami ka falenderuar mbështetësit e tij. “Faleminderit për të gjithë ata demokratë që kanë shprehur vullnetin e tyre me votë, komisionerët dhe përfaqësuesit e mi, sepse nuk është e lehtë të jesh përfaqësuesi im në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Gjana: Procesi korrekt
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Elektoral të PD, Jemin Gjana ka deklaruar se procesi gjatë gjithë ditës ka vijuar i qetë dhe pa incidente.
“Në vlerësimin tonë nuk ka patur probleme, incidente, apo pamundësi për të votuar. Kështu që deri tani besojmë se jemi në një proces të rregullt e korrekt. Presim mbylljen dhe fillimin e tërheqjes së materialeve zgjedhore, në mënyrë që të fillojmë numërimin”, ka thënë Gjana për mediat.
I pyetur nga mediat në lidhje me foton e Lulzim Bashës në qendrat e votimit, Gjana ka pranuar se “nuk është normale”, por ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për dicka të qëllimshme.
“Nuk është normale, por ato kanë qenë zyra partie dhe komisionerët i kanë pasur aty. Nuk është diçka e qëllimshme. Megjithatë është dhënë porosi që ato të hiqen dhe në disa qendra votimi janë hequr”, ka thënë Gjana.
Më tej, Gjana ka hedhur poshtë akuzat e kandidatit Selami, se persona të paautorizuar kanë hyrë në qendrat e votimit të kenë prishur procesin, duke nënvizuar se, nëse ka ndodhur kanë qenë raste sporadike.
“Me të gjitha udhëzimet, ne kemi kërkuar me insistim që brenda vendit të votimeve të pranishëm janë vetëm anëtarët e partisë që votojnë dhe komisionerët. Por ndoshta, ngaqë kanë qenë zyra të PD, bëhet fjalë për njerëz që kanë hyrë e kanë dalë”, ka sqaruar Gjana, i cili ka hedhur poshtë edhe pretendimet e Selamit për probleme me listat.
“Unë nuk kam asnjë ankimim sa i takon të dhënave. Nëse dikush është paraqitur dhe nuk ka patur emrin në listë, rastet janë aq të pakta saqë unë nuk ndihem i shqetësuar”, ka thënë Gjana.
Ai ka shtuar se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, deri në orën 16 e 30 të ditës së sotme janë pak a shumë në të njëjtët parametra që kanë qenë atëherë, rreth 41-42 mijë.
Topalli: Gara për kryetarin e PD është farsë dhe mjerim
“Kjo e sotmja ishte një ditë e palumtur për PD-në dhe për Shqipërinë. Basha ka pasur si qëllim vetëm asgjësimin e ligjit në Partinë Demokratike. Basha ka vite që nuk shpreh asnjë lloj vizioni për partinë më të madhe opozitare në vend. Gara për kreun e PD është farsë dhe mjerim”, tha Topalli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



