Anija që largon shqiptarët e sotëm e ka emrin Dursanë!
Urbanism & Democracy
Përditë e më shumë në media po flitet për fenomenin shqiptar bashkëkohor të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjë e mirë kjo, sepse pranimi se je prekur prej një sëmundje, është hapi i parë dhe i domosdoshëm që të shërohesh; por edhe gjë e keqe, sepse të kujtohesh për shëndetin vetëm pasi e ke humbur, është një sjellje sa e vjetruar aq edhe kushtueshme. Për shëndetin duhet të kujdesemi në vazhdimësi. Investimin në shëndet duhet ta bëjmë me moton “ta ruajmë atë, dhe jo ta rifitojmë!”. Për këtë synim bota e qytetëruar ka zhvilluar teori dhe praktika, një pjesë e të cilave kanë mbërritur edhe në këtë ishullin e prapambetur, në të cilin ne jetojmë; dieta të ushqimit të shëndetshëm, aktivitete fizike dhe alternime të tyre, po e konservojnë shëndetin e individit modern duke minimizuar prekjen e tij prej sëmundjeve. E njëjta logjikë vlen edhe për shëndetin e territorit, për higjienën e mjedisit jetësor e urban dhe konservimin e natyrës.
Në fakt kjo logjikë vlen për çdo aktivitet njerëzor, por në shkrimin e sotëm vjen në shpjegim të fenomenit të braktisjes së atdheut nga kombi. Elita politike, gjithashtu, e ka pranuar këtë sëmundje, por si gjithmonë po e trajton sipas interesit të ditës, ose si një normalitet ose si një produkt të keqqeverisjes momentale. Çka është një gabim po kaq i madh. Sepse, pas 25 vjetësh në procese liberalizuese në Shqipëri, normalitet duhet të ishte fenomeni i kundërt; qytetarë të huaj duhet të vinin në Shqipëri për t’u përfshirë në zhvillimin e shpejtë të një vendi të saposhkëputur nga kthetrat e socializmit. Po kaq e pavërtetë është edhe teza se braktisja e Shqipërisë është një fenomen i kushtëzuar vetëm nga qeverisja aktuale, sepse humbja e shpresës së shoqërisë nga një qeveri sjell rebelimin ndaj asaj qeverie dhe jo braktisjen e atdheut. Kombi e braktis atdheun vetëm kur humb shpresën afatgjatë te çdo komponent ekonomik, social e politik i atdheut!
Dështuam të “ruajmë” kombin brenda atdheut, sepse dështuam të ndërtonim modelet e duhura patriotike, ekonomike dhe social-politike në një Shqipëri që lejon dhe stimulon begatinë e kombësve brenda shtrirjes së vet territoriale! Këtë dështim duhet ta kthejmë në një arsye më shumë për të mos dështuar edhe me “rikthimin” e kombit brenda atdheut përpara se atdheu të vdesë nga mungesa e kombit. Dhe ky sukses i dëshiruar nis vetëm nga diagnostikimi i saktë i shkaktarit të sëmundjes. Prandaj, ne duhet të kuptojmë e pranojmë se shkaktari i braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët është Durasana! Është modeli territorial i braktisjes së territoreve periferike e kufitare, dhe i koncentrimit të kombit në rripin bregdetar dhe qendrën e atdheut. Sepse, ishte dështimi i gjetjes së mundësive më të mira për jetesë në Durasanë, pas braktisjes së mundësive në territoret e origjinës së tyre, që i detyron shqiptarët të braktisin edhe atdheun!
Shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria për shkak të ndonjë patologjie kulturore kombëtare “për të braktisur atdheun”. Arsyet janë shumë të thjeshta, por bazike, ata largohen për për shkak të gjendjes ekonomike të sotme dhe asaj në perspektivë. Të dyja të lidhura ngushtësisht me modelin ekonomik dhe modelin social-politik të vendit. Është modeli ekonomik i konsumit që i konverton shqiptarët në qenie konsumatore, por pa i dhënë asnjë mundësi të fitojnë të ardhura për shpenzime. Kurse modeli social-politik i partitokracisë së kryetaro-partive i përjashton edhe nga mundësia për të kontribuuar në ndryshimin për të ardhmen e këtij modeli ekonomik përjashtues. Të përjashtuar nga modeli ekonomik i sotëm dhe i atij në perspektivë, shqiptarëve u ngelet të largohen nga vendi me shpresën se ekonomitë prodhuese të vendeve ku shkojnë do t’i përfshijnë brenda vetes, jo vetëm si konsumatorë të prodhimit, por edhe si përfitues të vlerave të shtuara.
Terapia për këtë tumor vdekjeprurës për atdheun, që lëngon në mungesë të kombit, nuk mund të jetë as injorimi i një “normaliteti” sikurse na propozon qeveria, dhe as vetëm zëvendësimi i kësaj qeverie me një tjetër, sikurse na premton opozita! Ky tumor nuk shërohet as me barnat më të shtrenjta e më të forta në botë, sepse nuk është thjesht një sëmundje që duhet shëruar, por një keqfunksionim në shkallë të gjerë i çdo qelize të trupit të atdheut. Terapia e vetme për të është rishpërndarja e balancuar e popullsisë nëpër territorin kombëtar, është bërja bashkë e burimeve natyrore, burimeve financiare dhe burimeve njerëzore! Vetëm një model i tillë i zhvillimit territorial mund të na drejtojë në zhvillimin e një modeli ekonomik prodhues dhe një modeli politik demokratik, që e përfshijnë qytetarin brenda vetes si një aksioner, pa e trajtuar atë si një konsumator të kapur peng nga “fati”, dhe për të ndarë me të të gjitha kostot dhe përfitimet!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




