Valdrin Pjetri është leksioni i fundit i hidhur për Ramën por Basha….
Valdrin Pjetri është leksioni i fundit i hidhur i Ramës që më në fund ka kuptuar se ligji i dekriminalizimit është bërë për t’i mbajtur larg politikës, të gjithë ata Valdrina,Ervina, Artura,apo Elvisëra, që të fshehin të shkuarën e tyre.
Pas batërdisë që kryeministri bëri në katapultimin e ‘valdrinroshëve’ në nivele të larta të shtetit dhe pushtetit, duke e bërë faqen shollë me justifikime të neveritshme jo vetëm për socialistët e ndershëm dhe dinjitozë , por duke bërë qesharake dhe leckë edhe dinjitetin e shtetarit përballë të huajve. Sot kjo dorëheqje shah-mat e Valdrinit me hotele e plot pasuri e ka carmatosur dhe e ka lënë në një cep plot llucë të nakatosur Ramën përballë shqiptarëve dhe të huajve. Edhe Valin kishte mangut në këtë gusht përvëlues politik. Tepsia edhe pse gati e boshatisur nga llokmat për miqtë e Valdrinit, Gjushit, Vilmërave dhe PPP-ve , duket si një kockë e fortë që i ka ngec keq kryeministrit në gurmaz dhe ndoshta ky është momenti që stërkalat e zullumit me gjithpushtetshmërinë e frikshme të Edi Ramës ta bëjnë kaq pis, sa nuk do të mund ta rikuperojë përvecse me gjeste të forta prej lideri. E kjo për Ramën thjeshtë është e pamundur, prandaj duket se Bashës që kishte ngelur anës Bunës pa ujë, Valë-Drini i dha një as të fortë moral para ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të Shqipërisë.
A do të dijë ta shfrytëzojë jo më vetëm me aleatët opozitarë por me intelektualët, pedagogët, mjekët, mësuesit, armatën antikonformiste të shoqërisë civile, biznesin e vogël dhe të mesëm ndoshta dhe të majtëve të lodhur, të na bindë me një Platformë Kombëtare? A do të mundet të kërkojë pa ekuivoke mbështetje dhe frymë. Frymën për të jetësuar një shtet të së drejtës, një formë përfaqësimi dhe qeverisje me moral dhe jo mocal sic po e mbyll Rama?
Ndoshta akoma nuk është i vonuar që të mbledhë rreth vetes edhe të rinj universitarë, demokratë dhe ish-demokratë, rreth platformës së shpëtimit të shtetit dhe falimentit si komb. Nëse do të vazhdojë që të presë sa të trashet dhe shtohet zullumi valdrinian i Ramës , kjo është humbje jo vetëm për Bashën por jemi të dënuar të respektojmë pa kushte poturet e bardha dhe nallanet e Edi Ramës. Sepse ai ende beson në zemërgjërsinë e votave të socialistëve të thjeshtë. Ka ardhur momenti që të gjithë bashkë te mundim këtë moment të keq historik, duke përfshirë në platformë të gjithë zërat e shëndoshë të shqiptarëve të vertetë, të cfarëdo bindjeje me një kusht; të mos jenë antishqiptarë, qelbësira, kriminelë dhe trafikantë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



