Rrokada si shkencë, rrokadarët si shkencëtarë!
BESJAN PESHA
Nuk e kuptoj fare habinë që shoqëron njerëzit teksa flasin për ngjarjen e fundit tek Akademia e Shkencave. As nuk kuptoj se përse papritur ka njerëz, të cilët ndihen të shqetësuar nga ajo që po ndodh aty. Që të kuptohemi, jam i lumtur që ky debat po lind, por nuk e kuptoj shqetë- simin e papritur, sepse modeli i zgjedhur nga “shkencëtarët” shqiptarë për të ruajtur privilegjet, prej kohësh është perfeksionuar dhe kthyer në filozofi sunduese në Shqipëri.
Rrokada e së njëjtës kastë drejtuese tashmë është kthyer në model drejtimi, pikësëpari nga akademikët, kuzhinierët e shoqërisë, dhe për këtë askush nuk ka folur më parë, edhe pse gjellën ua hanë përditë. Ajo që ngjau në Akademinë e Shkencave, ku ish-nënkryetari u ribë kryetar dhe ish-kryetari u rikthye nënkryetar, ka kohë që ndodh rëndom edhe në universitetet e Shqipërisë, aty ku edukohen mbi të ardhmen brezat e rinj, të cilët pastaj, të njëjtin model e kanë përcjellë në të gjithë damarët e jetës së shoqërisë.
“You are what you eat” (ti je ajo që ushqehesh) thotë një shprehje e famshme. Më poshtë do përshkruaj veç pak nga gjella e gatuar në universitete e me të cilën ushqehet shoqëria jonë. A nuk u bë dekani rektor, për t’u rikthyer në dekan në UT? A nuk u bë ishrektori dekan, për t’u rikthyer sërish në rektor, pasi dekani që e zëvendësoi si rektor të rikthehej si dekan në Universitetin e Arteve? E kështu kudo. Pse askush nuk flet për këtë model dhe dëmet që i vijnë prej tij shoqërisë? Pse këtë e pranojmë në heshtje dhe u turremi ca burrave “me benevrekë”, a thua se është vetëm faji i tyre?
Ata janë thjesht pararoja e një brigade nepotike, e cila artin e sundimit e ka perfeksionuar, e ka kthyer në lëndë kryesore edukimi, duke e përdorur produktin që prodhojnë, një shoqëri të heshtur dhe kokulur, si mburojë. A nuk janë kthyer universitetet tona sot në vatra nepotizmi e qokatore? Mjafton të hedhësh një vështrim të shkurtër mbi përbërjen akademike të disa fakulteteve dhe lehtësisht dallon se kriteri kryesor i punësimit nuk është dija dhe vlerat shkencore, por lidhjet familjare apo politike. Fëmijë, nipër dhe mbesa dekanësh e rektorësh, kalamaj apo të afërt të politikanëve me influencë në Shqipëri sot edukojnë brezat e rinj.
Do të thellohem më tej për këtë temë dhe do të flas edhe me emra të përveçëm, por sot dua të përqendrohem te modeli dhe dëmi që i ka sjellë shoqërisë. Do të flas, sepse dikush duhet ta bëjë, e meqë askush nuk e bën nga aty brenda, do ta nis unë nga jashtë. E zëmë se je një student i vitit të parë në një nga fakultetet e sipërfolura. Më- simi i parë që merr është se nuk ka asgjë të keqe që dekani apo rektori të jetë i njëjti njeri për dhjetëra vite, edhe pse situata e fakultetit nuk është përmirë- suar, por përkeqësuar në vite. Edhe pse raportet e KLSH-së apo auditet të kanë kapur me presh në duar duke abuzuar me qindra miliona lekë, edhe pse raportet apo sondimet antikorrupsion e nxjerrin arsimin si më të ekspozuarin ndaj korrupsionit mbas drejtësisë dhe shëndetësisë. Madje, ky fakt të shitet si një vlerë e veçantë e këtyre njerëzve.
“Dekanin e kemi mafioz” të thotë dikush, duke nënkuptuar që është njeri që di t’ia lozë sistemit. Ti e pranon këtë vlerë dhe e mbrujt brenda teje për ta aplikuar nesër në jetë. Kështu, nuk të bën fare përshtypje që, edhe mes atyre që drejtojnë shtetin mbizotëron e njëjta filozofi, ku nuk ka fare rëndësi rezultati në punë, por se sa “mafioz” Jo vetëm aq, por ti stërvitesh dhe ëndërron të bëhesh vetë një mafioz. Mësimi i dytë që merr është se shumica dërrmuese e pedagogëve nuk janë aty sepse dinë më shumë se të tjerët, por sepse kanë lidhje familjare apo koniunkturale më të forta se të tjerët. “Kush të jep mësim?”, pyet shoqja.
Mbesa e politikanit, rektorit, dekanit”, ia kthen ti. Kjo vlerë prodhon dy efekte. Krenari kur je pjesë e kastës dhe dëshpërim kur nuk je. Krenar se nuk të duhet detyrimisht të mësosh e punosh, fati jot është i shkruar në librin e familjes. Dëshpërim sepse mëson me dhunë për 4 vite se, sado të lëçitësh e nxësh, aftësitë i ke të kufizuara për shkak të trungut familjar. Ose do të paguash. Paraja e çan bllokadën gjithnjë dhe të ripërtërin aftësitë.
Kështu, kur del në jetë, e pranon si vlerë të shoqërisë faktin që në punë nuk të fusin aftësitë, por trinomi partimik-para.
Nëse nuk ke asnjë prej këtyre, je kontingjent për kamarier ose emigrant, në varësi të këllqeve. E meqë të kanë bindur se kjo është vlerë, ti nuk bën asgjë për ta ndryshuar, nuk bërtet, nuk ulëret, por hesht kokulur dhe pranon fatin. Mësimi i tretë dhe më i madh që merr është se heshtja dhe servilizmi vlerësohet. Pedagogu që hesht përballë kësaj maskarade promovohet në shef dhe i lind e drejta të ëndërrojë për karrierë, nëse perfeksionon artin e të servilosurit. Ai që flet të vërtetën, ose rri në vend, ose shtyhet ngadalë me bërryla drejt derës së daljes. Nuk mbaron me kaq, kur lind pyetja se përse u largua, përgjigjja që jepet është: “Nuk i rrinte bytha rehat”.
Rehatia pra e bythës tënde dhe ngjitja e gjuhës të bytha e shefit promovohet. Kështu, student që arrin ta perfeksionojë këtë “stil” jetese, ia del mbanë teksa “bythëlëvizurit” cilësohen si budallenj pa të ardhme. Kështu, edhe falë punës së palodhur të disa dijefagëve rrokadarë në universitete, sot kemi një shoqëri të mpirë, e cila pranon në heshtje, kokulur dhe në radhë si dele race fatin që grushti i rrokadarëve të politikës gatuan për ta. E teksa vendi rrokulliset vazhdimisht nga një shkëmb i së keqes te tjetri, shoqëria hesht.
Heshtje, që së pari prodhohet nga shkencëtarët e rrokadës të ngulur fort aty ku gatuhen vlerat e shoqërisë. Kështu që, nuk ka fare vend për habi me Akademinë e Shkencave. Në këtë vend rrokada është kthyer në shkencë dhe rrokadarët në shkencëtarë. Ndaj eja ta marrim me themel e të hedhim dritë aty ku e keqja gatuhet si ushqim popullor e jo vetëm aty ku shfaqet si jashtë- qitje. Kështu i shërbejmë realisht publikes dhe shoqërisë. Ose, vazhdojmë bëjmë gjasme, prodhojmë ca tituj e bëjmë pak show sa të fillojë spektakli i vërtetë, ai parlamentar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



