Emrat/ Plagosen rëndë dy minatorë në Bulqizë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në minierën e Bulqizës, të AlbChrome të biznesmenit Samir Mane.
Sindikata e Minatorëve të Bulqizës, e më pas edhe policia kanë konfirmuar se dy minatorë, Altin Kola dhe Mentor Gjeta janë plagosur rëndë në nivelin e 18 të kësaj miniere.
Njoftimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës:
AKSIDENTI I RËNDË I RADHËS NË MINIERËN E ALBCHROME NË BULQIZË
Një aksident i rëndë ka ndodhur sërish në nivelin e 18-të të Minierës së Kromit të Bulqizës, në administrimin e kompanisë Albchrome, pjesë e Balfin Grup. Ky aksident ka ndodhur sonte rreth orës 20:00. Si pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë dy minatorët Altin Kola dhe Mentor Gjeta.
Kjo ngjarje vjen jo më vonë se dy javë nga plagosja e rëndë e minatorit tjetër, Tush Asllanit. Për të gjitha aksidentet që ndodhin, faji bie mbi viktimat dhe të aksidentuarit. SMBB iu bën thirrje institucioneve shtetërore të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave të nevojshme.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës shpreh keqardhjen për aksidentin e ndodhur dhe iu uron shërim sa më të shpejtë dy anëtarëve tanë!
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 20.50, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë marrë informacion se në minierën e kromit në qytetin e Bulqizës, janë aksidentuar gjatë punës shtetasit M.Gj, dhe A.K, të dy banues në Bulqizë.
Të dëmtuarit po marrin ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen hetimet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



