E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Astriti dhe shtetrrethimi
Publik News

Astriti dhe shtetrrethimi

Astriti rrasi kasketën, vendosi mustaqet fals dhe doli. Nata kishte hënë dhe mund ta diktonte ndonjë patrullë. Mbajti vesh. Asgjë s’pipëtinte. Doli nga shtëpia duke u vjedhur rrëzë avllisë. Por në çast qëndroi se dëgjoi hapa. Patrulla! U bë njësh me një shtyllë druri telefoni. Dy policët u çapitën qetë në rrugën kryesore pa vënë re gjë. Astriti priti dhe pak dhe ia futi vrapit nga shtylla, kapërxeu rrugën e Durrësit dhe hyri në rrugicat e shtrembra që të nxjerrin tek Bulevardi Zogu i Parë. Ecte dhe ndalonte për tu siguruar se askush nuk e ndiqte dhe se mos ndeshte në patrullë. Nga frika zemra i përpëlitej si një levrek i sapokërryer prej ujit. Trokiti
– Kush është? – u dëgjua pas porte
– Hape nënë, hape! Astriti jam!
– Parrullën!
– “A shisni gjela deti”? Kundërparrullën!
– “Deti ka qenë i trazuar, por kemi fruta deti”! – dhe nëna hapi pak derën. Prej andej nuk doli plaka por vetëm një torbë që qëndronte në majë të një shkopi. Astriti mori torbën dhe në vend të saj në majë të shkopit vendosi një çantë të vogël.
– Merre mama! Të solla maska, alkool për duart dhe 6 pako makarona që më kërkove. Edhe dy libra të shtysh kohën. Një është “Si zgjidhet kriza” i Koço Kokëdhimës, tjetri është “Kurbani” i Ramës
– Mirë o tu bëfsha kurban! Të kam vënë nëna ca lakror që bëra sot, miellin që kërkove, ca qepë dhe ndërresat që të lava.
Ajo andej portës e ai këtej portës. Druri i trashë i ndante, por urdhëri qe që të mos takoheshin.
Astriti mori udhën e kthimit. Shtetrrethimi kishte zbrazur plotësisht rrugët. Ai nxitoi nëpër rrugicë, u fsheh pas një peme…kur nga pas ndjeu hapa. Dikush po e ndiqte. Pa thellë në errësirë dhe dalloi me vështirësi dy silueta. Patjetër policë. Po afroheshin tinëzisht. Mendoi t’ia mbathë po përballë iu shfaqën dy policë të tjerë. Ndërsa një civil u lëshua nga kafe Flora tjetri nga fillimi i rrugës së Durrësit. Ishte i rrethuar. Sidoqoftë ia futi vrapit drejt shtëpisë. Policë e civilë iu lëshuan pas. Njëri zgjati dorën por në vend të kapte Astritin kapi torbën. Astriti humbi ekuilibrin dhe u rrëzua. Duke u rrokullisur mes pluhurit bëri copë gjurin dhe brrylin e djathtë. Atë çast 6 policë u lëshuan mbi djaloshin e shtrirë përdhe. Pluhuri i madh që ngritën i mbushi hundën Astritit që për këtë arsye nuk po e mbante teshtimën dhe një kollë të thatë që ia ndolli gjithë ajo re pluhuri:
– Aaapçiu! Eçiii! Aaap..khii khi khi!
– A të q** robt! – ulërinë njëzëri policët.
A thua se shpërtheu ndonjë minë dhe të gjashtë policët ia mbathën nga sytë këmbët, sa më larg njeriut që kollitej e teshtinte. Ky po shihte se si njëri prej tyre kishte ende torbën me lakrorin dhe sidomos ndërresat e lara. Rrufethi mendoi se nuk kishte brekë për nesër dhe brofi në këmbë e iu ngjit me vrap policit që i kish marrë sendet. 5 policët e tjerë qëndruan, ndërsa i gjashti, kur pa se viktima i qe vënë pas, i këput një sprint që s’kish atlet ta kapte! Vrapo polici – vrapo Astriti. Polici i tmerruar hera – herës kthente kokën dhe kur e shihte ndjekësin po aty, ulte qafën dhe vazhdonte me sa fuqi kishte.
– Torbën! Torbën! Tooorbëën! – thirri Astriti kur po i shterronin fuqitë.
Aty e kuptoi polici përsenë e kësaj ndjekjeje. Flaku anash torbën dhe vazhdoi edhe ca vrapin, për të qenë sa më larg rrezes së teshtimës.

(Ide që ma dha një mik i mençur e i zoti në letërsi. Tani na duhet një lidhje në Bollywood për të bërë një film rreth shtetrrethimit të sotëm shpallur nga Surreli për tu mbrojtur prej covid -19 )

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.