Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën politike!
Ndërkohë që opozitës i kërkohet të heqë dorë nga të bërit politikë në emër të bashkëpunimit për të luftuar “armikun e përbashkët”, i njohur me emrin Covid 19, kreu i qeverisë, Edi Rama, është duke konsoliduar sundimin mbi shqiptarët, si dhe është duke punuar në detaje mbi planin e tij elektoral të qershorit 2021.
Shkeljet e Kushtetutës, ndyshimi i Kodit Penal me dënime ekstreme, disiplinimi i masës së njerëzve, duke luajtur me durimin e tyre sikur të luante play station, marrja personalisht e rolit të shpëtimtarit që Zoti na i paska prurë në tokë si Messí për të mirën tonë, mungesa e transparencës totale me investimet dhe financat, mbajtja nën kontroll e statistikës për shkallën e përhapjes së virusit, duke mos bërë teste masive për të gjithë, mos pasja e një strategji reale rimëkëmbjeje të ekonomisë nesër, janë provat më të mira se Edi Rama nuk punon për të shpëtuar shtetasit, por punon me të gjitha energjitë, për të mbajtur pushtetin, për të thelluar sundimin dhe për t’i dhënë vetes një mandat të tretë pushteti.
Po opozita çfarë po bën?
Që para se Rama ta merrte seriozisht këtë punën e coronavirusit, opozita zgjodhi pa as më të voglin hezitim Shqipërinë dhe shqiptarët mbi partinë me strategjinë e saj të bashkëpunimit, për zgjidhjen e krizës.
Ndihma dhe mbështetja që ofroi opozita, natyrisht kishte dhe kosto politike për të, sepse, së pari, po legjitimonte pushtetin e një Kryeministri që kishte gati dy vjet që nuk e njihte më si të tillë, dhe mbi të cilin qëndrim kishte ndërtuar gjithë kauzën e saj politike të braktisjes së Parlamentit dhe mos marrjes pjesë në votimet për zgjedhjet lokale. Pra, duke i bërë thirrje Ramës që në ditët e para “mos rri mbyllur në bunker, por shko në zyrë në krye të detyrës dhe merr urgjent masa për të përballuar situatën” u perceptuan si kthim mbrapa në qëndrime, dorëheqje nga pretendimet e saj politike, mesazh i qartë i gatishmërisë për të bashkëpunuar pa kushte me qeverinë, por, mbi të gjitha, ishte legjitimim i autoritetit të Ramës në krye të qeverisjes.
Tek e fundit, çfarë është autoriteti? Sipas M. Weberit, “autoriteti është pushtet i veshur me legjitimitet”.
Në fillim Rama e refuzoi dhe e talli opozitën. Madje, ndihej i bezdisur nga protagonizmi i saj. Disa ditë më vonë, me sa duket, e kanë këshilluar të bënte sikur e konsideronte se dilte politikisht i fituar nga strategjia e bashkëpunimit me opozitën, pasi fitonte legjitmitet moral si Kryeministër dhe kuronte imazhin e njeriut konfliktual që s’bashkëpunon me kënd. Për këtë ai pranoi duke i modifikuar në mënyrën e tij një pjesë të mirë të propozimeve të saj.
Afërmendsh, opozita nëpërmjet ofrimit të bashkëpunimit, duke deklaruar vazhdmisht se nuk është koha të bëjmë politikë, por të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish, fitoi simpatinë e opinionit publik vendas si dhe u përshëndet edhe nga partnerët ndërkombëtarë që u duk sikur mezi e prisnin një mundësi të tillë. Të gjitha palët dolën të fituar, fut këtu dhe Presidentin e Republikës i cili do të kishte protagonizmin e tij në këtë situate “të jashtëzakonshme” si kryesues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Win-win për të gjithë!
Në kushtet kur Rama bëri ndryshime në kodin penal për të rritur penalitet dhe për të kufizuar liritë tona, duke vënë në diskutim ekzistencën edhe të asaj pak hibrid-demokracisë që kemi dhe të rendit kushtetues, i kritikuar gjerësisht edhe nga ekpertë të majtë të drejtësisë, opozita reagoi zbehtë.
Të bashkëpunosh me Ramën, i njohur si degraduesi më i madh i demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lire, është njësoj sikur gjenerali De Gaulle (Dë Golë) t’i kishte zgjatur dorën e bashkëpunimit në emër të fitores së luftës ndaj pushtuesit nazist dhe në emër të unitetit kombëtar për rindërtimin e Francës, marshallit Pétain (Petën).
Bashkëpunimi dhe ndihma që opozita i jep Qeverisë dhe Ramës, duke zgjedhur të ofrojë politikat dhe alternativat e saj, do merrnin vlerë nëse përballë do të kishin një drejtues ekzekutivi normal, të përgjegjshëm, parimor e paritar, dhe jo një të tillë që gjithçka që bën e ka hile dhe propagandë, e ka kalkulim elektoral për t’i siguruar jetëgjatësi me një mandat të ri sundimit të regjimit të vet.
Lidershipi i opozitës e di vet çfarë bën. Unë e kuptoj që ofrimin për të ndihmuar me gjithçka e ka të sinqertë. Sjelljen e ka organike. Dhimbjen të ndierë.
Por, ama, Opozita nuk është OJF, është parti politike që për qëllim të parë ka marrjen e pushtetit që të bëjë të mundur zbatimin nesër në qeverisje të programit të saj politik, ekonomik, social për të cilin do të votohet nga votuesit shqiptarë.
Dhe me një përfitues dhe kalkulator elektoral si Rama, në rast se ai fiton zgjedhjet e 2021 me kartën aq të dashur të tij të “shpëtimtarit” të shqiptarëve nga fatkeqësitë natyrore, opozita rrezikon të akuzohet si fajtore që i dha oksigjen atij për të marrë një mandat të tretë.
Dikush mund të më thotë që nuk është mirë të bësh politikë në këtë situatë të pazakontë. Ashtu? Në fakt, gjithçka që po ndodh sot është politikë, sepse politika s’është gjë tjetër veçse “veprimtaria nëpërmjet së cilës njerëzit bëjnë, ruajnë, dhe përmirësojnë rregullat e përgjithshme me të cilat jetojnë e lidhur kjo pazgjithshmërisht me fenomenin e bashkëpunimit dhe konfliktit”.
Ti kërkosh opozitës sot të mos bëjë politikë, është e pandershme, jo morale dhe jo etike. Por ta zgjedhë vetë opozita këtë strategji, duke thënë që unë s’bëj politikë në këtë situate kur ai tjetri nuk të konsideron as ty as qytatarët dhe bën sikur të pyet,më e pakta kjo është tentative për t’i ikur një kompleksi që të mundon, kompleksit të “djalit rebel dhe trazovoç” e për t’u vetofruar si “djalë i mire”, dhe më e shumta, vetvrasje politike sepse Kryeministri vendit po mban peng në gazermë një popull të tërë, duke e mbrojtur, me gjasë, nga infektimi, por duke i dobësuar metabolizmin, siç po thonë specialistët e fushës.
Me aq sa duket nga gjithë paraqitja dhe sjellja e tij publike, Rama të lë përshtypjen se mbi tavolinën e tij të punës sot nuk ka asnjë “hartë lufte për ta asgjësuar “armikun” Covid 19, por, ka sigurisht, një hartë administrativo-politike dhe ca statistika, mbi të cilat bën kalkulimet elektorale për qershorin 2021.
Ndaj, të gjitha lëvizjet që bën tani në emër të luftës, në emër të jetës, në emër të popullit, i ka thjesht dhe vetëm kalkulime ELEKTORALE.
Duhet ta pranojmë, situata të tilla të jashtëzakonshme që kërkojnë izolimin e popullsisë, “pezullimin” ose “ngrirjen e demokracisë liberale” dhe zëvendësimin e saj me qevrisjen sanitare, u vijnë për shtat karaktereve tiranike të kryetarëve të qeverive që veprojnë në republika me demokraci hibride. Në këto situata, këta tipa duket sikur luajnë në fushën e tyre, sikur e njohin mirë terrenin, sikur shkëlqejnë. Ajo që vjen pas, pra KRIZA ekonomike, i nxjerr zbuluar. Në këtë gjendje, këtyre tipave nuk u duhet zgjatur dora e bashkëpunimit, por u duhet dhënë një shqelm i fortë në prapanicë për t’i zhytur në llumin që kanë krijuar me vetëdije kundër shoqërisë, lirisë dhe demokracisë.
Qytetarët shqiptarë në këto kushte kanë nevojë të shikojnë një shpresë përtej Ramës, dikë që nuk është si ai, politikanë që nuk zihen dhe pajtohen në mënyrë të pakuptimtë, e në fund fiton prapë Rama. Kjo i mërzit të gjithë. U shuan shpresën.
Situata me Covid 19 do mbarojë shpejt. Rama do t’i marrë politikisht maksimumin. Opozitës do t’i duhet ta ketë gati që tani strategjinë e saj pasi, pas kthimit në normalitetin e përditshëm atë e pret një betejë e vështirë. Do t’i duhet të mundë dy kundërshtarë: (i) Kundërshtari i parë: të mundë vetveten. Të çlirohet nga çdo lloj kompleksi që qarkullon si perceptim publik dhe që buron nga qëndrimet dhe aksionet e mëparshme politike qysh prej 2017.Të jetë një parti realisht e hapur bazuar mbi meritokaraci. (ii) Kundërshtari i dytë që duhet mundur është Rama dhe filozofia e tij që i jep pushtetin, por jo fitoren. Fitorja që të quhet e tillë kërkon legjitimitet. Pushteti mund të merret me vota të manipuluara, fitorja jo.
Dhe regjime të tilla që ngrihen mbi manipulimin e votës, munden vetëm me një “ushtri” të madhe në kuptimin sasior, duke përbashkuar çdo lumë, përrua, rëke apo pikë opozitarizmi në një enë të madhe nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me ofertën në kuptimin cilësor. Prandaj, sjellja e sotme e opozitës duhet të jetë pararendësja e një plani të madh strategjik për ta çuar te fitorja.
Shqipëria në kushtet kur i kanë zeruar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, kam përshtypjen se ka nevojë më shumë për Opozitën politike, se sa për politikat e opozitës, që janë pak të vlefshme sot, por më shumë do marrin vlerë nesër kur t’u prezantohen shqiptarëve si oferta e saj qeverisëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



