Meta takim me Shoqatën “Durrësi Autokton”: Kush prek votën dhe provokon sovranin, do të marrë përgjigjen e merituar
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot me kërkesë të tyre, një takim pune me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”.
Në këtë bashkëbisedim, Kreu i Shtetit u njoh me përpjekjet e kësaj shoqate për të ndalur masakrën urbane dhe shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore të qytetit bregdetar.
Përfaqësuesit e Shoqatës “Durrësi Autokton” kërkuan nga Presidenti Meta t’i mbështesë në aktivitetin e tyre dhe morën prej tij mbështetje të plotë për të gjitha nismat për mbrojtjen e Durrësit nga vendimmarrjet arbitrare e të pakonsultura me komunitetin lokal.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit u shpreh:
“Kam besuar gjithmonë, që zëri i Durrësit duhet të dëgjohet nga të gjithë për zhvillimin, modernizimin dhe europianizimin e qytetit tuaj, por edhe të mbarë vendit tonë. Durrësi mbart potenciale të mëdha për zhvillimin e tij, për luftën kundër varfërisë dhe për zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë. Ndaj duhet të shumëfishojmë përpjekjet për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, duke u kujdesur shumë më tepër se sa deri më tani.
Mirëqeverisja është e bazuar vetëm mbi llogaridhënie, që do të thotë se të zgjedhurit, që nga Presidenti e të gjithë me radhë, duhet të kenë frikë nga qytetarët! Jo qytetarët të kenë frikë nga ata që zgjidhen për t’ju shërbyer dhe për të dhënë llogari. Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve historike të 25 prillit, çdo gjë fillon nga çkapja e votës, nga vota e lirë dhe shenjtërimi i saj.
Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë! Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre!
Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitit që do vijnë. Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lirë.”Ndaj kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij”, u shpreh Meta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



