E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjergj Meta/ Pamjet e Mediaset nuk “i sheh askush” në Shqipëri…cilët vënë ato përpara përgjegjësisë?
OP-ED

Gjergj Meta/ Pamjet e Mediaset nuk “i sheh askush” në Shqipëri…cilët vënë ato përpara përgjegjësisë?

Pamjet e përcjella nga Mediaset-i edhe njëherë na vënë përpara përgjegjësisë të gjithë neve. Nuk mund të fshihemi e nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm në njërën anë. Duhet të gjithë bashkë, të ulim, e përsëris, të ulim e të dorëzojmë armët e retorikës konfliktuale që nuk po çon asgjëkundi e të shkojmë drejt një aleance për të mirën e vendit dhe të fëmijëve që janë e ardhmja e vendit…

Kronika e emisionit investigativ “Le Iene” të Mediaset-it, rreth fëmijëve që mblidhnin krom në Bulqizë, e shtoi edhe më shumë atë ndjesi negative, që shpesh na kaplon kur shohim se në vendin tonë ende shumë gjëra janë duke ecur mbrapsht. Shumë punë bëhet për fëmijët nga shumë organizma qeveritarë dhe jo qeveritarë, por ka një kujdes të vogël ose aspak kujdes për fëmijët dhe adoleshentët e periferive. Duhet të ndodhë ndonjë kronikë e ndonjë tv të huaj, apo ndonjë aksident si ajo e Ardit Gjoklajt në periferitë e Tiranës, i cili punonte te plehrat, që të zgjohen antenat tona reaguese.

Është e pa tolerueshme që në zemër të Europës të shihen ato pamje. Unë e di situatën e shumë familjeve në zonën e Mirditës, Bulqizës, Burrelit e me radhë, pasi jam ipeshkvi i zonës, por konstatimi nuk mjafton. Pamjet e atyre fëmijëve janë të pajustifikueshme dhe, si thotë një shprehje biblike, thërrasin hakmarrje përpara Zotit. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, ndryshe do të jemi bashkëfajtorë. Më së pari shteti me ministritë përkatëse, Ministrinë e Arsimit dhe asaj të Punës e pse jo edhe me Tatimet e policinë për të parë veprimtarinë e grosistëve të kromit e të prodhimeve të tjera e, po ashtu, edhe ne të tjerët, mediat dhe OJQ-të, organizmat fetare dhe jo fetare që kanë sadopak për zemër këtë vend.

Në këtë mënyrë po u vjedhim të ardhmen atyre fëmijëve. Nuk u lejojmë të jetojnë bukurinë e lojës dhe të moshës së tyre. Ua mohojmë ditën për diell, me indiferencën tonë dhe me pafuqinë e një shteti për t’i dhënë fund kësaj skamje e për të kontrolluar shfrytëzimin e të miturve. Diku kromi e diku lëndët narkotike, po traumatizojnë një brez fëmijësh dhe të rinjsh që do të jetë i plagosur në të ardhmen.

Pamjet e përcjella nga Mediaset-i edhe njëherë na vënë përpara përgjegjësisë të gjithë neve. Nuk mund të fshihemi e nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm në njërën anë. Duhet të gjithë bashkë, të ulim, e përsëris, të ulim e të dorëzojmë armët e retorikës konfliktuale që nuk po çon asgjëkundi e të shkojmë drejt një aleance për të mirën e vendit dhe të fëmijëve që janë e ardhmja e vendit. Duhet tani dhe urgjentisht, të gjithë bashkë, pa humbur kohë. Këto probleme si varfëria dhe korrupsioni janë problemet e vërteta të vendit tonë, sepse aty luhet dinjiteti i qenieve njerëzore, i çdo banori të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që pasurimi i pak vetëve të dëmtojë jetën e shumicës së njerëzve. Jo! Nuk është e mundur kjo gjë./AFP

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.