E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama-Akademia e Shkencave, kronologjia e një lufte me shkencën…
Lajme

Rama-Akademia e Shkencave, kronologjia e një lufte me shkencën…

Gudar Beqiraj dha sot në mbrëmje dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, edhe pse ai u votua për të kryer këtë detyrë më 4 shtator, me 28 vota pro dhe 3 kundër. Pra, vetëm dy muaj më parë.

Vetëm një javë më parë, Kryeministri Edi Rama i preu fondet Akademisë së Shkencave, duke deklaruar se nuk do të akordonte më para në buxhetin e vitit 2018, ndërkohë që nuk i kishte njohur zgjedhjet e shtatorit duke i konsideruar si farsë.

Por, cila është kronologjia e luftës midis Kryeministrit Edi Rama dhe akademikëve.

Në shtator të vitit 2009, Gudar Beqiraj zgjidhet Kryetar i Akademisë së Shkencave, duke pasuar Teki Biçokun. Beqiraj ishte asokohe nënkryetar i Akademisë. Akademiku Beqiraj qëndroi në detyrë katër vjet: 2009-2013.

Më 2 shtator 2013, arkeologu Muzafer Korkuti zgjidhet Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave, duke zëvendësuar matematikanin Gudar Beqiraj, të cilit i mbaroi mandati i drejtuesit. Ky i fundit këmbeu vendin me Korkutin, duke zbritur një shkallë më poshtë, e duke u bërë nënkryetar i Akademisë.

Pas katër vjetësh, më 4 shtator 2017, Gudar Beqiraj zgjidhet sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër anëtarët e Asamblesë zgjodhën Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv.kryetarit.

Në fakt, i gjithë procesi ishte një rokadë mes dy posteve kryesore në këtë institucion pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti tanimë do të mbante postin e numrit dy të këtij institucioni.

Pak minuta para fillimit te procesit të cilin e quajti farsë, kryeministri Edi Rama reagoi duke paralajmëruar një përplasje finale me Akademinë e Shkencave.

“Nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit e do të duhet të dorëzojë godinën”, shkruante Rama, ditën e zgjedhjeve”, më 4 shtator 2017.

Më 30 tetor 2017, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe një herë çështjen e Akademisë së Shkencave duke e krahasuar me një “nëndetëse të kalbur që rri në rërë”.

“Akademia sovjetike e shkencave duhet të hyjë në një proces refome jo të diktuar nga shteti. Por paratë e shpenzuar kot për të tundur flamurin sovjetik, edhe 27 vite pas rënies së komunizmit, do të shkojnë për kërkimin shkencor në universitet”.

Sipas Ramës, gjate vitit 2016, Akademia e Shkencave kishte nga buxheti i shtetit 96 milionë lekë të reja dhe zero të ardhura nga projekte apo subvencione.

Dje, Rama gjatë një takimi me studentët e rinj dha mesazhin e fundit: “Kemi një Akademi Shkencash që i ka mbetur vetëm emri”.

Sot, në mbrëmje kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, 69-vjeçari Gudar Beqiraj, i cili kishte marrë titullin akademik në vitin 2003,  deklaroi dorëheqjen e tij.

E themeluar në vitin 1972, Akademia e Shkencave aktualisht ka 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociiuar dhe 26 anëtarë nderi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.