Si ta llogarisni pensionin suplementar të pleqërisë
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ka publikuar në faqen e tij online, udhëzimet sesi qytetarët mund ta llogarisin vetë pensionin. Konkretisht:
Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë:
PSP = PMRMN x VSH x 1%
PSP: Pensioni Suplementar i Pleqërisë
PMRMN: Paga Mesatare Referuese Mujore Neto
VSH: Vitet e Shërbimit
Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.
Shembull:
Ushtaraku B.C. përfiton pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, i ndryshuar, me datë fillimi 10 Gusht 2013 dhe masën 23 400 lekë / muaj. Ai ka 25 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 42 900 lekë në muaj.
Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë:
PSP = 42 900 lekë x 25 vite x 1% = 10 725 lekë / muaj
Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku B.C. gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar.
Ushtaraku BC përfiton pension pleqërie në datën 10 gusht 2013, në masën 23 400 lekë/muaj.
Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është më i vogël se 50% e pensionit të pleqërisë 23 400 x 50% = 11 700 lekë.
Pra, ish ushtaraku B.C. në datën 10 Gusht 2013 do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 10 725 lekë/muaj.
Si llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Llogaritja e një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:
PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%
PPVSH = Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi
PMRMN = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto
VSH = Vitet e Shërbimit
Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Shembull:
Ushtarakut në rezervë/lirim A.B i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetësi shërbimi më datë 8 Maj 2013. Ai ka 17 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 36 937 lekë në muaj.
Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë:
PPVSH = 36 937 lekë x 17 x 1.5% = 9 419 lekë / muaj
Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Në rastin konkret masa e pensionit bazë më datë 8 maj 2013 ishte 11 562 lekë në muaj, pra masa e llogaritur është nën kufirin bazë, e si rrjedhojë masa e PPVSH do të jetë 11 562 lekë në muaj.
Pra, ish-ushtaraku A.B në datën 8 Maj 2013 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 11 562 lekë / muaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



