Goditjet ndaj Sali Berishës dhe lufta brenda llojit në PD
Dje ishte 19 Maji, data më e errët në historinë politike të Sali Berishës. Si dje një vit më parë, vetë Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony Blinken, e shpalli ish Presidentin, ish Kryeministrin dhe ish Kryetarin historik të Partisë Demokratike, Sali Berishën, non grata me një motivacion të denjë për udhëheqës afrikanë të botës së tretë. Zhvillimet politike të opozitës së pas kësaj date u përcaktuan thellësisht nga ai vendim. Sot ajo gjendet e përçarë në dy a tri grupime dhe pa asnjë shans për bashkim në të ardhmen e afërt.
E sigurtë është që pjesa më e madhe e elektoratit të ish Partisë Demokratike është me Sali Berishën dhe grupimin e tij.
Le të kthehemi edhe një herë te data 19 Maj. 365 ditë më pas,(pra dje) një intervistë e një deputeti të rëndësishëm të CDU (partisë kryesore në Gjermani), Gunter Krichbaum, dhënë për Dojçe Vele-n deklaroi:
“Unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”.
Kur gazetari i kërkon të jetë më i përcaktuar nëse këto fjalë janë për Sali Berrishën, deputeti deklaron pa ekuivok:
“Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”.
Vetëm pak ditë më parë, një dorë e padukshme sajoi një vizitë të ish- Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Tiranë. Vizita e Pompeo-s u vesh me arsye banale qokash por takimi i tij me Enkelejd Alibeaj dhe tre deputetë të Opozitës, jashtë Berishës, i sfumoi arsyet e deklaruara. Dukej se ajo vizitë ishte sajuar vetëm për të dhënë grushtin e radhës ndaj Sali Berishës.
Këtu nuk ka më dilemë. Vendimit amerikan të SHBA-së po i bashkohen gradualisht edhe kancelaritë evropiane. Vetë data e përzgjedhur për të dhënë kumtin është domethënëse. Nuk duket e rastësishme. Rrethimi për Berishën po vjen duke u ngushtuar. Një Parti e re e udhëhequr nga ai do të jetë e izoluar ndërkombëtarisht.
Zgjedhja e datës kishte simbolikën e saj. Edhe Sali Berisha kishte kalkuluar me mendje që më 22 Maj të shpallte fitoren e tij të Partisë Demokratike. Në përvjetorin e parë të non grata-s. Sfida e tij duket nxiti edhe përshkallëzoi edhe goditjen e radhës.
Por sa do të jetë ndikimi i këtyre kërcënimeve të hapura për izolim, nga të gjitha anët, në elektoratin e PD-së së Berishës?
Është e vështirë të bëhet një parashikim përsa kohë që nuk ka një sondazh. Nuk përjashtohet mundësia që Berisha të shihet si viktimë e konspiracioneve apo intrigave dhe të kompaktësojë masën e mbështetësve përreth tij. Fundja mbështetësit e tij janë të bindur se Berisha as nuk është i korruptuari më i madh i demokracisë e as minuesi më i madh i saj. Sa më shumë shtohen goditjet aq më shumë e shtojnë mbështetjen dhe mllefin ata. Efektin e vërtetë të këtyre goditjeve, pozitiv apo negative, mbetet për ta parë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Nga ana tjetër janë kundërshtarët e Berishës në Opozitë. Këtu kam parasysh grupimin pro-amerikan dhe anti-Berishë brenda kampit të ish-PD-së.
Këta ngazëllehehn ku e ku më shumë se socialistët për goditjet që merr Berisha nga të huajt, lëshohen në ironira, komente denigruese dhe bëjnë “share” njëri-tjetrin, një ekzaltim baltosës brenda llojit që uron vdekjen e kundërshtarit. Çfarë gëzimi, çfarë euforie pse Sali Berisha është i godituri. Ngjarja më e gëzueshme politike për ta është arrestimi i Sali Berishës sesa arrestimi i ndonjë Ministri socialist të korruptuar. Deri këtu ka shkuar urrejtja.
Përgjigja e berishistëve është edhe më e rëndë
Konflikti politik brenda Opozitës ka shkuar në pikën e moskthimit. Asnjëherë përkrahësit e Bashës, Alibeajt e kompani nuk do të kthehen në Partinë e Berishës. Aq më pak ata të Berishës tek të tjerët. Më duket e pamundur që sharjet apo argumentat kundër që merr grupi i Bashës-Alibeajt nga berishistët të sjellin ndonjë ndryshim në qëndrimin e elektoratit të tyre. Aq më pak e kundërta. Qëndrimet duken të qarta.
Elektorati i mundshëm i të dyja palëve është jashtë militantizmit demokrat por është anti-Rama. Ata i bën për vete jo duke sharë kundërshatrin brenda Partisë tënde por duke mbajtur qëndrim kritik ndaj Ramës. Sa më e fortë dhe më konstruktive opozita ndaj pushtetit, sa më shumë përpjekjet reformuese brenda vetes, aq më shumë do të kenë mundësi të bindin njerëzit se ata janë alternativë e besueshme. E kundërta, sa më shumë luftë brenda llojit aq më të pabesueshëm dhe të vegjël në sytë e votuesve potencialë. Kjo luftë duhet të marrë fund. Le të krijohen dy Parti por të deklarohen qysh në fillim si opozitare me Edi Ramën. Ky duhet të jetë deklarimi i parë. Nëse deklarohen kundër partisë së Sali Berishës, çfarëdo emri të ketë ajo Parti, duhet të kuptojnë se janë një patericë e pushtetit. Ose një parti Antiopozitare. Kjo vlen për sa kohë që Berisha ka të vërtetuar shumicën e opozitës. Ju pëlqen nuk ju pëlqen, ai është lokomotiva e opozitarizmit. Një opozitarizëm pa të ardhme ndoshta por edhe pa alternativë për momentin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



