E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush e vrau Edin, në Bulqizë?
OP-ED

Kush e vrau Edin, në Bulqizë?

(Në foto  20-vjeҫari Eduart Dama që humbi jetën)

Nga Isa Myzyraj
Ditën e sotme humbi jetën një punëtor 20-vjeҫ në minierat famëkeqe të Bulqizës. Sa herë që dëgjoj lajme të tilla hap menjëherë artikuj për të mësuar emrin, kjo për shkak se disa shokë të mi dhe familjarët e tyre punojnë në galeritë e kromit të Bulqizës.

Sot nuk ishte njëri nga shokët e mi, as familjar i tyre, sot ishte Eduart Dama, një 20-vjeҫar në kulmin e rinisë së tij, një 20-vjeҫar, që iu këput jeta në mes, si dhjetëra të rinjve të tjerë, që nuk u janë kthyer nënave të tyre në shtëpi, që nga ai mëngjes i hershëm që u nisën drejt vdekjes.
Sot më shumë se kurrë duhet të ulërasim me të madhe, t’ia lëmë drejtësisë Saimri Tahirin, t’i lëmë statuset për PS, e PD, t’i lëmë llafet lavdëruese pro njërës apo tjetrës parti, por të kërkojmë drejtësi për Eduartin dhe të tjerët, të ndalojmë vdekjet e të rinjve në Bulqizë, të ndalojmë lotët e të tjera nënave të shkreta që mund të humbin bijtë e tyre, sepse lotët e atyre nënave që kanë humbur tanimë djemtë, nuk i ndalojmë dot, kurrë.

Para disa javësh erdhi një media italiane, për të na hapur sytë, e për të na treguar se ҫfarë po ndodh në Bulqizën e minatorëve, erdhi për të na hapur sytë, dhe për t’i treguar botës, se si qyteti numër dy në botë për pastërtinë e kromit, është sot një ndër qytetet më të mjeruara në Shqipërinë tonë të bukur, e të mjeruar.

Në këtë situatë kaotike, ku po vdesin qytetarë, ku një 20-vjeҫar vdes në minierë për kafshatën e bukës, e për të treguar kulmin e mjerimit fëmijët 10 vjeҫ punojnë në krom, ekranet televizive mbushen me fytyra të politikanëve që para zgjedhjeve nuk lanë katund e lagje pa shkuar, nuk lanë dorë të larë e të palarë pa puthur, nuk lanë të varfër e të pasur pa përqafuar, por sot heshtin, heshtin sepse ata më mirë se ne e dinë gjendjen ku e kanë katandisur këtë vend.

Sot heshtin për Eduartin, në fakt ata duhet të heshtin, sepse ata më mirë se ne e dinë mjaft mirë gjendjen e familjeve bulqizake, e dinë më mirë se kushdo tjetër gjendjen e minatorëve dhe kushteve në të cilat ata punojnë.
E nëse ata heshtin nga faji dhe nga turpi, unë nuk mund të hesht dot. E si mundem sot unë të hesht, ku një 20-vjeҫar ka humbur jetën në mënyrën më të tmerrshme të mundshme? Si mundem të hesht kur e di se në vendin tonë, rinia është kthyer në torturë dhe pleqëria në dhimbje.
Si të hesht, si?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.