E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E VËRTETA DO TË NA ÇLIROJË
Sot

E VËRTETA DO TË NA ÇLIROJË

Abuzimi më i fundit me dosjet e Sigurimit, në dëm të Ilir Metës, është prova më e fundit, se qeveritë e 31 viteve të fundit, me fjalë të distancuara nga Sigurimi, i kanë përdorur dosjet e tij, për të mbyllur ca gojë e për të detyruar ca të tjera të këndojnë sipas avazit të qeverisë.

Me dosjet, si me metastazat e kancerit, ka vetëm një zgjidhje: kirurgjia! Dosjet duhet të hapen, të gjitha, pa përjashtim! Duhet të publikohet e plotë lista e bashkëpunëtorëve. Si dosjet e personave të përgjuar, si ato të spiunëve të tyre, duhet të publikohen online, në format pdf, pa asnjë redaktim.

Asnjë hakmarrje nuk do të ndodhë, siç nuk ka ndodhur në këta 31 vjet. Frika nga hakmarrja ka qenë marifeti me të cilin qeveritë kanë trembur qytetarët, por koha provoi se ky ishte thjesht manipulim.

Dje dëgjova Simon Mirakën të thotë se nuk e ka gjetur dosjen e tij. Ai sigurisht ka pasur. Ka jetuar 44 vjet në internim. Por dosja e tij ose është zhdukur, ose mbahet diku e fshehur. Megjithatë, dosjet e të përndjekurve, si ajo e z. Miraka, mund të rindërtohen si mozaikë, me copëza dosjesh spiunësh, që kanë përmendur emrin e tij. Prandaj duhen hapur të gjitha llojet e dosjeve.

Krijimi i një baze dixhitale të dhënash, ku mund të kërkohet me fjalë të caktuara (emra, mbiemra, pseudonime, emra vendesh, data etj), automatikisht do të lehtësonte rindërtimin e dosjeve të humbura.

Kjo punë voluminoze natyrisht ka nevojë për ca prioritete. Në vitin 1991, ky mund të kishte qenë kriteri i vjetërsisë së dosjes. Atëherë dosjet duhej të kishin filluar të hapeshin duke filluar nga viti 1945. Nëse do të ishin hapur çdo vit dosjet e një dekade, procesi do të kishte përfunduar në vitin 1996.

Sot kriteri duhet të jetë tjetër. Tani duhet filluar nga të gjithë ata që kanë kërkuar karrierë e pushtet, pas 8 dhjetorit 1990. Le të fillojmë me mbledhjen e studentëve dhe pedagogëve më 10 dhjetor 1990. Të vazhdojmë me listën e kandidatëve për zgjedhjet e 31 marsit 1991, e kështu me radhë.

Kam bindjen se historia e 31 viteve të fundit do të rishkruhet. Dhe kjo natyrisht nuk i intereson qeverisë. Me siguri edhe opozita ka “skeletet e saj në dollap”, por qëndrimi i saj ndaj dosjeve, është një nga kushtet që ajo të rikthehet në pushtet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.