E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lajme

Policia e Shtetit akuza për PD-në: Shkelën ligjin, bllokuan rrugët

Policia e Shtetit është duke bërë gati dosjen për të bërë kallëzim në prokurori në lidhje me protestën që Partia Demokratike mbajti këtë të hënë duke bllokuar për një orë akset kryesore rrugore kombëtare në Shqipëri.

Përmes një deklarate zyrtare, Policia e Shtetit e cila edhe një ditë më parë e bëri të qartë qëndrimin se nuk ka dhënë leje për bllokimin e rrugëve, thotë se “në bazë e në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë pas fiksimit dhe mbikëqyrjes profesionale të protestave të paligjshme, kanë përpiluar materialet procedurale, për organizatoret dhe shkelësit e ligjit dhe materialet do të referohen për fillimin e çështjes penale në Prokuroritë e rretheve gjyqësore, respektive, Tiranë, Kurbin, Elbasan e Lushnjë”.

Njoftimi zyrtar i Policise se Shtetit

Për rreth 1 orë, tre pika kyçe në akset kryesore kombëtare rrugore dhe 2 nyje lidhëse në Tiranë u bllokuan nga një protestë e subjektit politik Partia Demokratike, megjithëse Policia e Shtetit në zbatim të kërkesave të ligjit nuk miratoi lejen për mbajtjen e këtyre tubimeve.

Pretendimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme, se ata thjesht e lajmërojnë Policinë dhe e bëjnë tubimin edhe aty ku kërcënohet siguria e qytetarëve apo pengohet seriozisht qarkullimi i njerëzve e mallrave, është i papranueshëm ligjërisht.

Policia e Shtetit, megjithë rezistencën e disa prej organizatorëve të mitingjeve të paligjshme, mundi me sukses të devijojë qarkullimin e mjeteve në disa akse dytësore dhe rrugë paralele, për të lehtësuar brenda mundësive të kufizuara, trafikun e rënduar dhe bllokimin e qytetarëve.

Gjithashtu u morën masa për mbajtjen hapur të korsive të emergjencës për ambulancat, që transportuan gjatë këtij harku kohor disa qytetarë në nevojë, duke garantuar ndihmën e nevojshme mjekësore në kohë dhe shmangur pasojat për jetën e shëndetin e njerëzve.

Protesta e sotme e opozitës, u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u  lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse.

Përgjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkeljet e ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve, konkretisht shkelje konform nenit 262 të Kodit Penal ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ si dhe  nenit 293 të Kodit Penal ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’.

Për këtë arsye Policia po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, këto veprime do t’u paraqiten Prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale.

Në bazë e në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë pas fiksimit dhe mbikëqyrjes profesionale të protestave të paligjshme, kanë përpiluar materialet procedurale, për organizatorët dhe shkelësit e ligjit dhe materialet do të referohen për fillimin e çështjes penale në Prokuroritë e rretheve gjyqësore, respektive, Tiranë, Kurbin, Elbasan e Lushnjë.

Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar, megjithë pengesat e vështirësitë që patën gjatë bllokimit të rrugëve.

Policia e Shtetit ripërsërit se ka të drejtën dhe detyrimin ligjor, përgjegjësinë shtetërore dhe kapacitetin e mjaftueshëm, për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore këdo që shkel ligjin.

Policia e Shtetit nënvizon se nuk do të tolerojë askënd që i bie ndesh ligjit dhe do të kërkojë nga organet e tjera ligjzbatuese të njëjtë përgjegjshmëri në kryerje të detyrës.

Policia e Shtetit është dhe do të mbetet garante e zhvillimit të tubimeve paqësore, por njëkohësisht edhe e sigurisë e qetësisë për gjithë qytetarët e tjerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.