Dyfishohet numri i shtetasve që morën pasaportë shqiptare
Numri i personave që kërkojnë azil ra ndjeshëm në 2022, pas rritjes që kishte shënuar në 2021, si rrjedhojë e ardhjes së shtetasve afgane, që i ikën luftës, dhe erdhën përkohësisht në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane.
Sipas INSTAT-it, në vitin 2022 u regjistruan vetëm 125 kërkesa për azil në Shqipëri, ndërsa në vitin 2021 kishte pasur 2533 kërkesa. Një tendencë tjetër është rritja e numrit të shtetasve që marrin pasaporte shqiptare, duke arritur në një nivel rekord në vitin 2022. Përveç Kosovës, persona nga Italia, Turqia dhe Siria kanë qenë ndër shtetasit që marrin nënshtetësinë shqiptare. Një tjetër aspekt është lënia e nënshtetësisë shqiptare, me një numër prej 721 personash që e kanë bërë këtë vendim, kryesisht të rinj. Azilkërkuesit me origjinë nga Afganistani kanë përbërë pjesën më të madhe të kërkesave për azil, ndjekur nga ata me origjinë nga Ukraina. Gjithsej, në vitin 2022 u dhënë 24 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese.
Fitimi dhe lënia e shtetësisë Shqiptare
Në 2022 rezultojnë 1.527 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 114,8%, krahasuar me vitin 2021. Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se 931 persona, që kanë fituar shtetësinë Shqiptare, janë meshkuj dhe 596 femra. Vihet re një dominim i meshkujve me 61,0%.
Në 2022, rezultojnë 721 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke pësuar një rënie me 0,4%, krahasuar me vitin 2021. Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se 406 persona, që kanë lënë shtetësinë Shqiptare janë femra dhe 315 meshkuj. Vihet re një dominim i femrave me 56,3%.
Duke analizuar vendin e origjinës të personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare, vërehet se 85,1% e përbëjnë ato me origjinë nga Kosova, 4,3% me origjinë nga Turqia dhe 2,1% me origjinë nga Italia.
Gjatë 2022, 27,1% e personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç, e ndjekur nga grup-mosha 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç respektivisht me 20,3% dhe 19,1%.
Për personat që kanë lënë shtetësinë Shqiptare, grup-mosha që dominon është 30-39 vjeç me 48,3%, e ndjekur me grup-moshën 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç respektivisht me 22,1% dhe 16,5%./Monitor

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



