Gjykata e Apelit bllokon lejen e Ramës për hotelin në Dhërmi
Gjykata Administrative e Apelit ka pezulluar prej disa muajsh zbatimin e një leje të kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e një kompleksi turistik në Dhërmi, nën dyshimet se projekti është miratuar mbi prona të falsifikuara.
Në 14 tetor 2020, Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e Ramës, miratoi lejen e zhvillimit për objektin “Godinë hoteliere dhe SPA ‘Queen Vasilika’”.
Leja u dha në favor të shoqërisë “Queen Vasilika”, në pronësi të biznesmenit Ilirjan Brokaj dhe projekti do të zhvillohej në gjurmën e ish-Kampit të Punëtorëve në plazhin e Dhërmiut.
Në vitin 2010, Konfederata e Sindikatave të Pavarura, e cila kishte nën administrim ish-Kampin e Punëtorëve, nënshkroi një kontratë huaje me biznesmenin në shumën 100 mijë euro.
Sindikatat nuk arritën të paguanin huanë në kohë dhe Brokaj hipotekoi ish-Kampin e Punëtorëve Dhërmi nën pronësinë e tij, sipas kushteve të kontratës mes palëve.
Në vitin 2022, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në zbatim të vendimit të Edi Ramës, miratoi lejen teknike të ndërtimit për kompleksin “Queen Vasilika”.
Pasi nisi prishja e godinës së vjetër për t’i hapur rrugë hotelit të ri, dy familje nga Dhërmiu ngritën pretendimet në gjykatë se kompleksi cenonte pronën e tyre, të njohur dhe të hipotekuar në Kadastrën e Vlorës.
Banorët kërkuan pezullimin e projektit, duke pretenduar se është kryer një falsifikim i rëndë dokumentash.
Gjykata Administrative e Vlorës ua rrëzoi kërkesën me argumentin se zhvillimi i hotelit nuk do të cënonte pronën e pretenduar prej tyre dhe se, nëse ata do të provonin pronësinë, atëherë sipërfaqja mund të kthehej lehtësisht në kushtet e mëparshme.
Ndërkohë, Gjykata Administrative e Apelit e trajtoi çështjen në mënyrë tërësisht të ndryshme.
Në qershor 2023, trupa gjykuese vendosi pezullimin e projektit të nënshkruar nga Edi Rama dhe Jorgo Goro, deri në përfundim të shqyrtimit në themel të dyshimeve për falsifikim dokumentash.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila këtë javë vendosi ta rikthejë çështjen për shqyrtim në Apelin Administrativ.
Trinomi Rama-Goro-Himarë është vendosur në qendër të debatit politik dhe publik, sidomos pas arrestimit të kryebashkiakut fitues të qytezës, Fredi Beleri, përfaqësues i koalicionit opozitar.
Partia Demokratike ka akuzuar drejtëpërdrejtë kryeminstrin Edi Rama se nxiti e inskenoi arrestimin e Belerit, me qëllim që të vijonte ndarjen e tokave në bregdetin e Himarës për investitorë strategjikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



