Gent Sejko thirret të japë llogari në Kuvend, favorizoi piramidat e mikrokredive
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është thirrur të japë sqarime në Kuvend lidhur me skandalin e mikrokredive. Banka e Shqipërisë ka favorizuar “Micro Credit Albania”, duke mos i hequr licencën në dy raste dhe opozita më në fund u kujtua që të kërkojë një seancë dëgjimore me Gent Sejkon.
Sipas burimeve, ai do të paraqitet në Komisionin e Ekonomisë ditën e martë në orën 11.00.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur kanë nisur hetimet dhe nga prokuroria. Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë”, thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.
Micro Credit Albania (MCA) është një ndër shumë kompani që po zhvat përditë shqiptarët dhe instancat shtetërore janë të pafuqishme. Kjo kompani piramidale, blen kreditë e këqija nga institucionet e tjera jo bankare dhe më pas nis shantazhet dhe procedurat e përmbarimit ndaj qytetarëve. Përmes kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve u merren qytetarëve miliona lekë, ndonëse mund të kenë marrë kredi minimaliste.
Ankesat ndaj kësaj kompanie kanë qenë të pafundme dhe Banka e Shqipërisë pak muaj më parë vendosi t’i pezullonte licencën për herë të dytë, pa marrë një masë për t’ia revokuar totalisht. Gent Sejko pak ditë më parë tentoi të justifikohej se i kishte “duart e lidhura” dhe nuk merrte dot asnjë masë.
Pse nuk është revokuar licenca? Licenca nuk është revokuar sepse revokimi i licencës do të nxirrte portofolin e këtyre klientëve jashtë regjistrit të kredive që administrohet nga Banka Qendrore. Pra nxjerrja nga regjistri i kredisë, i klientëve të cilët jo të gjithë janë joperformues – një pjesë paguajnë, një pjesë kanë vështirësi pagese – do të bënte që në radhë të parë të kryhej perceptimi që kreditë falen dhe nuk do të paguanin, pra kjo do të krijonte një precedent dhe në vetë sistemin bankar, dhe një rrezik për të rritur kredinë me probleme të cilën e përmenda që e ulëm nga 25 për qind në 4.7 për qind”, u justifikua ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



