Skandali i Mikrokredive/ MCA e Final nuk ia dorëzojnë dosjet e kredive Ministrisë së Financave e Bankës Shtetit
Tre ditë para se t’u hiqeshin licencat e të arrestoheshin, administratorët dhe punonjësit kryesorë që u lanë jashtë hetimit, zhdukën dosjet e ia mbathën jashtë Shqipërisë, fakt që krijon dyshime se janë njoftuar paraprakisht nga xhambazët e drejtësisë e qeverisë…
As arrestimet që bëri Prokuroria e Tiranës dhe as heqja e licencave nga Banka e Shtetit, nuk po i japin fund krimit të dy agjencive “Micro Credit Albania” e “Final”, të cilat në bashkëveprim me njëra-tjetrën, në 8 vitet e fundit, kanë zhvatur 1.3 miliardë Euro nga 150 mijë qytetarë hallexhinj, nëpërmjet mashtrimit me kredi e interesa false.
Më 23 maj 2024, agjencisë “Micro Credit Albania” iu hoq Licenca Nr. 38, datë 9 maj 2016, ndërsa agjencisë “Final” iu hoq Licenca Nr. 11, datë 20 shkurt 2009, duke i urdhëruar të ndërpresin menjëherë aktivitetin e dhënies së kredive, blerjes së kredive të këqija nga bankat dhe ekzekutimin e tyre me zyra përmbarimore.

Por këto dy agjenci, jo vetëm nuk po zbatojnë vendimet e Bankës së Shtetit, duke mos ndaluar aktivitetin kriminal të mashtrimit e zhvatjes së qytetarëve me kreditë false, por nuk po zbatojnë as urdhrin administrativ të Bankës së Shtetit.
Dy agjencitë “Micro Credit Albania” e “Final”, nuk po dorëzojnë dokumentet në këtë ministri dhe në Bankën e Shtetit, duke iu shmangur zbatimit të vendimeve.
Konkretisht, nuk po dorëzojnë regjistrat dhe dosjet e kredive, që kanë blerë nga bankat; kreditë që kanë dhënë vetë si ri-strukturim e mbivendosje të kredive që kanë ekzekutuar me zyra përmbarimi, si dhe kreditë që kanë në proces e nuk i kanë ekzekutuar.
Ministra e Financave dhe Banka e Shtetit, ka kërkuar bilancet e tyre nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Tatimet, por ato nuk kanë dorëzuar bilance prej 8 vitesh, duke i lejuar të mos raportojnë numrin e kredive të blera nga bankat dhe kreditë që kanë dhënë vetë, të ardhurat, fitimet, numrin dhe vlerat e pasurive të sekuestruara, shpenzimet, qarkullimet Cash e transfertat.
Por “Micro Credit Albania” e “Final”, refuzojnë të dorëzojnë regjistrat dhe dosjet e kredive në Bankën e Shtetit dhe Ministrinë e Financave, ndërkohë që i kanë hequr nga zyrat para e pas masave të arrestit; fakt që dëshmon, se janë njoftuar paraprakisht, ndërsa prokuroria nuk vendosi masa sekuestroje paraprake të tyre.
Kërkesave të Ministrisë Financave e Bankës së Shtetit, ata i janë përgjigjur, me justifikimet se regjistrat dhe dosjet e kredive, i kanë pronarët Elda Ibro që është në arrati e Arben Meskuti që është në burg, por dhe me mashtrimin, se nuk e dinë ku janë dokumentet.
Ministria e Financave dhe Banka e Shtetit, nuk po arrijnë të kontaktojnë dot as me administratorin e “Micro Credit Albania”, Andis Gjoka dhe as me administratoren e agjencisë “Final Sh.p.k”, Majlinda Demko (Gjata), mbasi 3 ditë para arrestimeve e heqjes së licencave janë larguar nga Shqipëria, madje nuk janë marrë nën hetim.
Pas 4 vitesh zvarritje hetimi dhe lënie të lirë nga Prokuroria e Tiranës, tani po vazhdon loja fshehjes së krimit, me mos dorëzimin e regjistrave dhe dosjeve të kredive, me të cilat, me lejen e shtetit kanë mashtruar dhe zhvatur 150 mijë qytetarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



