Nga shpulla e policit Qato deri te grushtat e Noizit, Vasil Bedinaj, Antonelës, antivlerat që ushqejnë dhunën!
Landi Çela
Shqipëria po përballet me një fenomen shqetësues ku antivlerat dhe banaliteti janë shndërruar në normë të përditshme, dhe skenat e dhunës po propagandohen si një pjesë e pashmangshme e jetës sonë të përditshme.
Disa nga incidentet më të fundit përfshijnë reperin Noizy që dhunon Medin në Pejë, Antonela Berisha që godet me shishe një vajzë, dhe pronarin e hoteleve “Regina” në Vlorë, Vasil Bedinaj, që grushton një pushues. Shefi i policisë Rrugore Altin Qato goditi me shpull një qytetar që ngiste makinën. Rama shtynte para kamerave një gazetare. Këto ngjarje janë tregues i një realiteti të hidhur: antivlerat dhe modelet banale po ngrihen në piedestal nga politika dhe media, duke e ndotur shoqërinë me mesazhe të deformuara.
Në një sherr të fundit që përfshiu reperët Noizy dhe Stresi, aktet e tyre të dhunës u filmuan dhe u shpërndanë pa turp në rrjetet sociale. Noizy, një figurë e promovuar shpesh nga politikanë si Erion Veliaj, është kthyer në një simbol të asaj që politika shqiptare i ofron rinisë: një model të rrënjosur në dhunë, arrogancë dhe shpërfillje për ligjin.
Për më tepër, pjesëmarrja e figurave si Stresi në këto akte vetëm sa shton në këto skena të degjeneruara.
Po kështu, një tjetër incident tronditës është ai ku Antonela Berisha, një produkt i emisionit vulgar “Përputhen”, dhunoi fizikisht një vajzë duke e goditur me një shishe qelqi. Antonela, që është promovuar nga televizioni si një figurë e rëndësishme e ekraneve, tani është kthyer në një tjetër “yll” të kronikës së zezë. Ky është produkti që televizioni dhe media kanë përzgjedhur për të promovuar: një model që nuk ka asnjë vlerë për shoqërinë, përveçse të mbushë boshllëkun moral me skandale dhe dhunë.
Së fundmi, incidenti në Vlorë ku pronari i hoteleve “Regina,” Vasil Bedinaj, grushton një pushues që kishte thjesht kërkesën për të kaluar pushimet me familjen e tij, tregon se edhe ata që ndodhen në pozicione pushteti e pasurie nuk ngurrojnë të përdorin dhunën për të imponuar dominimin e tyre.
Kreu i Policisë Rrugore Altin Qato goditi si cub qytetarin pasi ky i fundit i ka rënë borisë pa pushim pasi kishte ngecur në trafikun e protestës.
Të gjitha këto raste dhune, janë dëshmi e qartë se degjenerimi moral dhe kulturor qëndron në thelb të një sistemi ku politika dhe media po bashkëpunojnë për të promovuar antivlerat.
Nga njëra anë, politika e përdor figura si Noizy për të tërhequr mbështetjen e rinisë në fushata elektorale, ndërsa nga ana tjetër, media prodhon dhe promovon individë si Antonela Berisha, që nuk kanë asnjë kontribut për shoqërinë përveçse të sjellin skandale dhe përçarje.
Në fund, ky cikël i shëmtuar i antivlerave nuk është as rastësor dhe as i pafajshëm. Ky është modeli që i serviret publikut për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shoqërisë, si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe ndërsa mësohemi me banalitetin dhe dhunën, rrezikojmë që një ditë të zgjohemi në një realitet ku Noizy dhe Antonela, ose të ngjashmit e tyre, do të jenë ata që do të drejtojnë vendin, pasi janë mishërimi perfekt i një klase politike të degraduar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



