E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gratë e Linditës
Lajme

Gratë e Linditës

Kur Kabuli po binte në duart e talebanëve, ndër të parët që ia mbathën nga vendi ishin një grup aktivistësh të shoqërisë civile. Nuk ishte çudi që Edi Rama doli vullnetar për t’i marrë në Shqipëri dhe për t’i vendosur në një hotel luksoz.

Kur kamerat e fiksuan Ramën gjatë takimit me këta refugjatë, nuk mund të mos vinin re qartësisht veshjet e markave Gucci dhe Prada të afganëve të larguar rrëmbimthi nga vendi.

Nëse qëndrimi në Afganistan thuhet se u ka kushtuar amerikanëve thuajse 2 trilion dollarë, të paktën 100 miliardë dollarë kanë shkuar për shoqërinë civile, e cila ishte përgjegjëse për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Këto shifra tronditëse mjaftojnë për të kuptuar sa i frikshëm është biznesi me demokracinë i shoqërisë civile. Sikundër është e lehtë të kuptosh pse u shemb aq kollaj ajo që pretendohej se ishte ndërtuar për dy dekada në Afganistan.

Por nëse Edi Rama e ka ndërtuar autokracinë e tij falë ndihmës së shoqërisë civile, askush nuk do e kishte imagjinuar as në Afganistan se raportet për ndërkombëtarët do i hartonte gruaja e tij.

Ky konflikt i ububushëm interesi do kishte shokuar këdo, madje edhe në Kabulin e talebanëve. Por në Shqipërinë e Edi Ramës, kur PD kërkoi nga partnerët që të mos marrin parasysh raportet e Linda Ramës, në mediat qeveritare nisën menjëherë sulmet ndaj opozitës, të udhëhequra nga zëra si Iris Luarasi, Anila Basha e Eni Vasili. Sipas tyre, opozita po e sulmon Lindën vetëm pse është grua.

Mashtrim më të paskrupullt nuk ka prodhuar ndonjëherë media shqiptare. Linda akuzohet për konflikt të pastër interesi. Akuzat ndaj saj kanë lidhje me gratë aq sa mund të jetë grua Dritan Hila, që iu bashkua në darkë korit të grave të Lindës.

Arsyeja e vërtetë e këtij reagimi ndaj tyre nuk lidhet kurrfarë me ndonjë parim, por vetëm me atë që disa e quajnë ‘industria mafioze e granteve’. Kësaj industrie ia ka parë hairin Linda dhe Lindat e tjera që i dolën në mbrojtje.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta kishin thënë ndonjë fjalë kur Linda u akuzua se shkoi te Edi Rama me një pallat në pajë, të ndërtuar pa asnjë faturë në mënyrë të paligjshme në një shesh pallatesh.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta thoshin ndonjë fjalë për sarajet e ndërtuara në Surrel me emrin e saj, që do i kishte zili edhe ndonjë sulltan i Lindjes së Mesme.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta thoshin ndonjë fjalë kur vajza e Lindës përpinte tenderat një e nga një falë ndikimit të Edit të Lindës.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta thoshin ndonjë fjalë për prokurimet dhe fondet publike që merr baxhanaku i Ramës vetëm pse është martuar në vendin e duhur.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta thoshin ndonjë fjalë kur Linda shantazhonte gazetaret duke u thënë se po e sëmurnin burrin e saj duke ‘lëshuar shigjeta të helmatisura’ ndaj tij.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës do e thoshin ndonjë fjalë për kunatin e saj, vëllain e Edit që është akuzuar se është pjesë e një prej bandave më të rrezikshme të kokainës.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës do e thoshin ndonjë fjalë kur Edi Rama nuk e mban aspak gojën duke lëshuar fyerjet nga më të rëndat dhe seksistet ndaj grave dhe vajzave madje edhe në parlament.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës nuk do e lëshonin vetë gojën nëpër studio televizive për gratë e tjera.

Sepse po të ishte çështje parimesh, gratë e Lindës duhej ta thoshin ndonjë fjalë për narkoshtetin e Edi Ramës, i denoncuar nga mediat më të mëdha perëndimore.

Kjo listë mund të vazhdojë edhe me qindra arsye të tjera, të cilat mos prisni t’i shihni në raportet e Lindës për ndërkombëtarët.

Para shumë vitesh, Imelda Markos, gruaja e diktatorit filipinas, shprehej se ata si çift janë pronarë të çdo gjëje në Filipine.

Linda nuk i ka lëshuar gratë e saj në sulm për të treguar se ka të drejtë. Madje ky reagim kaq i paturpshëm tregon edhe njëherë sa e drejtë është kauza e opozitës.

Por Linda do t’u tregojë shqiptarëve se ajo dhe Edi janë pronarë të gjithçkaje në këtë vend. Nuk ka rëndësi është truall, ndërtim, mall apo njeri!/Syri.net

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.