KPK përmbyll procesin e vetingut për 805 magjistratë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka përfunduar procesin e rivlerësimit për 805 magjistratë, duke dhënë 799 vendime deri më 31 tetor 2024. Të gjashtë rastet e fundit janë përmbyllur, por ende nuk janë shpallur vendimet përkatëse. Ky proces, i cili nisi më 8 shkurt 2018, përfshiu tre shtylla kryesore: profesionalizmin, pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Sipas të dhënave, 373 magjistratë janë konfirmuar në detyrë, ndërsa 268 janë shkarkuar për shkak të problemeve kryesisht në kriterin e pasurisë.
Gjithashtu, 105 procese janë ndërprerë për shkak të dorëheqjeve, dhe disa vendime kanë përfunduar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shqyrtim të mëtejshëm. Pas përfundimit të këtij procesi, KPK ia kalon kompetencat Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), i cili do të vazhdojë shqyrtimin e rasteve në shkallën e dytë deri në fund të vitit 2026.
Në total, KPK ka dhënë 369 vendime për konfirmim në detyrë, 267 për shkarkim, dhe 48 për përfundim procesi pa vendim përfundimtar. Kritikët theksojnë se procesi ka qenë i diskutueshëm, me disa vendime që janë kontestuar dhe përfunduar deri në Strasburg. Pavarësisht sfidave, ky proces konsiderohet thelbësor për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


