Sondazhi/ Shqiptarët më të pasigurt ekonomikisht në rajon

Sipas një ankete të RCC

Një sondazh i realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me 6 mijë qytetarë të Ballkanit Perëndimor ka evidentuar një realitet shqetësues për Shqipërinë: qytetarët shqiptarë ndihen më të pasigurt ekonomikisht në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Plot 32% e të anketuarve në Shqipëri shprehin pasiguri ekonomike, ndërsa 36% kanë pritshmëri negative për të ardhmen, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më pesimiste së bashku me Bosnjën (34%).

Në të kundërt, Mali i Zi dhe Kosova kryesojnë për perceptimin e sigurisë ekonomike, duke treguar optimizëm më të lartë krahasuar me fqinjët.

Gjendja ekonomike: Inflacioni dhe kostot e jetesës në qendër të shqetësimeve

Në të gjithë rajonin, 39% e qytetarëve janë të pakënaqur me gjendjen ekonomike. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja kanë nivelet më të larta të pakënaqësisë, duke reflektuar një realitet të zymtë ekonomik. Kryesojnë shqetësimet për:

•Kostot e larta të jetesës dhe inflacionin – problem për 77% të të anketuarve.

•Pagat e ulëta, pabarazitë socio-ekonomike dhe papunësinë, që vazhdojnë të dominojnë diskursin publik.

•Pensionet – një shqetësim i veçantë për të moshuarit, ku 61% e tyre e cilësojnë këtë si problem kryesor.

Hendeku i pasurisë, varfëria dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten sfida të mëdha për grupet më të prekshme, si të moshuarit dhe personat me arsim të ulët.

Emigracioni dhe shpopullimi – “Plaga” e Shqipërisë

Shqiptarët shfaqin shqetësim të madh për emigracionin dhe shpopullimin, me 64% të të anketuarve që e konsiderojnë këtë një nga sfidat kryesore. Shqipëria udhëheq rajonin në këtë aspekt, e ndjekur nga Kosova (53%) dhe Maqedonia e Veriut (49%).

Sfida rajonale: Krimi, ndikimi i huaj dhe dallimet gjinore

Në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi, shqetësimet për krimin e organizuar, terrorizmin dhe ndikimin e huaj mbeten të larta, veçanërisht tek grupet e arsimuara. Ndërkohë, dallimet gjinore dhe çmimet e karburanteve shfaqen si çështje prioritare në disa vende.

Apel për politika konkrete

Të dhënat e SecuriMeter 2024 evidentojnë një pakënaqësi të thellë dhe një nevojë urgjente për politika efektive që adresojnë sfidat ekonomike dhe rrisin ndjesinë e sigurisë në rajon. Shqipëria, si një nga vendet më të prekura, përballet me një moment vendimtar për të rivendosur besimin dhe perspektivën për të ardhmen.

Publikuar nga Publik Media