1/4 e shqiptarëve nuk përballojnë dot as shpenzimet për kontrollet rutinë
Shqiptarët më të shqetësuar për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore në Rajon, sipas një ankete të RCC
Një anketë e realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka nxjerrë në pah shqetësimin e lartë të shqiptarëve për kostot e shërbimeve shëndetësore. Sipas anketës, 24% e shqiptarëve janë shumë të shqetësuar për kostot financiare të kujdesit mjekësor dhe mjekimit rutinë, një shqetësim që është dukshëm më i lartë se në vendet e tjera të Rajonit. Në Bosnjë, Kosova, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, përqindjet e shqetësimit variojnë nga 9% deri në 20%.
Një faktor kyç që shpjegon këtë shqetësim është niveli i ulët i të ardhurave, i cili i bën shumë qytetarë të papërgatitur për të përballuar shpenzimet shëndetësore. Po ashtu, rimbursimi i medikamenteve është shumë i ulët, duke i detyruar pacientët, veçanërisht ata me sëmundje kronike dhe sëmundje të rralla, të paguajnë nga xhepi për trajtime dhe terapira.
Shtimi i nevojave për shërbime spitalore, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike, po përballet me një buxhet të shkurtuar për shëndetësinë. Buxheti për këtë sektor ka pësuar një ulje prej 2.3 miliardë lekësh në vitin 2024, duke arritur në 75.9 miliardë lekë. Pavarësisht nevojave gjithnjë në rritje për trajtime mjekësore, shpenzimet për shëndetësinë rriten me ritme më të ulëta se shpenzimet totale buxhetore.
Një tjetër problem i madh është orientimi i fondeve për investime jo-efikase, ndërkohë që rimbursimi i barnave dhe investimet në pajisje mjekësore janë tepër të kufizuara. Spitalet publike ende nuk kanë pajisje si “Pet skaneri”, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e sëmundjeve në faza të hershme, ndërkohë që shumë qytetarë janë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit për sëmundje të rralla. Kjo situatë ka shkaktuar një fluks të konsiderueshëm të parave që dalin jashtë vendit për trajtime mjekësore, duke rënduar më tej ekonominë e vendit dhe duke kufizuar mundësinë e trajtimit të popullatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



