Tragjedia e paralajmëruar e Vinit që askush nuk e ndaloi

17 -vjeçari  e kishte thënë që do vetëvritej

GJIROKASTËR– Një ngjarje tronditëse ka tronditur fshatin Valare të Gjirokastrës dhe opinionin publik në mbarë vendin: 17-vjeçari Vehpi Peçi, i njohur nga të afërmit dhe shokët si “Vini”, i dha fund jetës në mënyrë tragjike, në banesën e tij familjare, menjëherë pas drekës së Pashkëve.

Por tragjedia e Vinit nuk ishte një akt i papritur. Ishte një thirrje e dëshpëruar për ndihmë që u injorua nga të gjithë: mësues, psikologë, shokë dhe, mbi të gjitha, institucionet që ekzistojnë për të parandaluar pikërisht këto raste.

“Nuk ishte bullizim – ishin plagët brenda shtëpisë”

E dashura e tij, në një reagim prekës, rrëfen se vendimi i Vinit nuk kishte të bënte aspak me bullizimin, por me plagë të thella familjare dhe një vuajtje të gjatë që askush nuk e kuptoi në kohë.

“Arsyeja pse Vini kreu vetëvrasje nuk ka qenë bullizimi. Kanë qenë vetëm problemet familjare. Jam e dashura e tij dhe ka folur hapur me mua për çdo gjë. Kishte kohë që e planifikonte. Jam munduar t’i ndryshoj mendje, por ishte e pamundur.”

Sipas dëshmisë së saj, Vini kishte vendosur të largohej nga jeta më 20 prill – një datë që ai vetë e kishte përmendur më parë para disa personave të afërt. Një paralajmërim që, fatkeqësisht, u injorua.

Një akt i paralajmëruar që askush nuk e ndaloi

Burime të sigurta nga shokët dhe komuniteti i shkollës tregojnë se 17-vjeçari kishte folur hapur për planin e tij. Ai nuk e fshehu dëshirën për t’i dhënë fund jetës, madje është zhvilluar një mbledhje në shkollën “Siri Shapllo”, ku ishin të pranishëm disa mësues, psikologia e shkollës dhe nëna e tij.

Në këtë mbledhje – sipas një qytetari që ka ndarë informacion me Publik.al në mënyrë anonime – nëna e djalit është shprehur me fjalët: “E bën për vëmendje”. Dhe, pa asnjë veprim konkret më tej, çështja u mbyll.

“Të gjithë ishin të vetëdijshëm: mësuesit, psikologja, policët dhe vetë mamaja e tij. Ai kishte thënë qartë: ‘Do vetëvritem më 20 prill’. Por askush nuk ndërhyri. Nuk u bë asgjë për ta ndaluar,” shkruan një qytetar për Publik.al.

Vetëvarja pas drekës me familjen

Sipas burimeve nga vendngjarja, pas një dreke familjare për Pashkë, ku merrnin pjesë nëna dhe dy motrat e vogla të Vinit, ai është ngjitur në katin e dytë të banesës dhe ka kryer aktin fatal të vetëvarjes. Trupi i pajetë u gjet nga familjarët pasi ai nuk përgjigjej në thirrjet e tyre.

Mësohet gjithashtu se Vini ka lënë një letër lamtumire, në të cilën besohet se ka shpjeguar arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi tragjik. Nuk është bërë ende publike përmbajtja e saj.

Kush mban përgjegjësi për këtë humbje?

Rasti i Vinit nuk është vetëm një akt vetëvrasjeje. Është një dështim total i sistemit arsimor, familjar dhe shoqëror për të kuptuar, për të dëgjuar dhe për të ndërhyrë në kohë. Kur një 17-vjeçar shpreh publikisht dëshirën për të vrarë veten dhe askush nuk lëviz – nuk jemi përballë një tragjedie të papritur. Jemi përballë një neglizhence kolektive.

Institucionet përkatëse duhet të nisin menjëherë një hetim të plotë mbi këtë rast: për të përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe institucionale, për të mësuar nga kjo tragjedi, dhe për të parandaluar që raste të tilla të përsëriten.

Kjo ngjarje nuk duhet të mbyllet me një raport mjeko-ligjor dhe një funeral të heshtur. Duhet të shërbejë si kambanë alarmi për një sistem të tërë që shpesh i sheh adoleshentët në krizë si “problem”, dhe jo si thirrje për ndihmë.

Publikuar nga Publik Media