SHBA-të dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për burimet natyrore

SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje me Kievin për të ndarë fitimet nga shitja e ardhshme e rezervave minerale të Ukrainës, pas muajsh negociatash të tensionuara.

Të dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimesh për rindërtim për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta me Rusinë.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se kjo tregonte se të dyja palët ishin të përkushtuara për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për aksesin në ndihmën ushtarake amerikane.

Ukraina besohet se ka rezerva të mëdha mineralesh kritike si grafiti, titani dhe litiumi. Ato janë shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e rinovueshme, teknologjinë ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

Marrëveshja vjen në mes të një lufte tregtare të SHBA-së me Kinën, nga e cila burojnë 90% e rezervave aktuale të metaleve të rralla në botë .

Sipas deklaratës së Thesarit të SHBA-së të mërkurën pasdite, Fondi i Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë, i krijuar rishtazi, njeh “mbështetjen e konsiderueshme financiare dhe materiale” që SHBA-të i kanë dhënë Ukrainës që nga pushtimi rus në shkurt 2022.

Sekretari i thesarit amerikan tha në një deklaratë me video se marrëveshja do të ndihmonte në “zhbllokimin e aseteve të rritjes së Ukrainës”.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e cila fluturoi për në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen të mërkurën, tha në një postim në X se fondi i ri do të “tërheqë investime globale në vendin tonë”.

Duke renditur dispozitat e marrëveshjes, ajo tha se ajo do të përfshinte projekte në minerale, naftë dhe gaz, megjithëse burimet do të mbeteshin pronë e Ukrainës.

Partneriteti do të jetë i barabartë, në bazë 50:50, shtoi ajo, dhe duhet të ratifikohet nga ligjvënësit në Kiev.

Sipas marrëveshjes, SHBA-të do të kontribuojnë me ndihmë të re për Kievin, shtoi ajo, duke përfshirë, për shembull, sisteme të mbrojtjes ajrore.

Gjuha e njoftimit tregon shumë më tepër solidaritet me Ukrainën sesa është zakonisht për administratën Trump.

Ai i referohet “pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë” dhe shton se “asnjë shtet apo person që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk do të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”.

Kremlini ende nuk i është përgjigjur marrëveshjes.

Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur vazhdimisht për marrëveshjen si një parakusht për t’i ofruar Kievit çdo garanci sigurie në të ardhmen.

Çështja kryesore është se drafti i marrëveshjes tregon se Ukraina do t’i japë Uashingtonit akses në disa nga burimet e saj natyrore në këmbim të ndihmës së ardhshme të sigurisë nga SHBA-ja.

Por kjo është dukshëm më pak se ajo që donte Trump, që ishte të merrte mbrapsht të gjithë ndihmën ushtarake amerikane të dhënë që nga fillimi i luftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka arritur të sigurojë disa lëshime nga Uashingtoni.

Marrëveshja u shty pasi autoritetet amerikane thanë se Kievi po përpiqej të bënte ndryshime të minutës së fundit.

Publikuar nga Publik Media