UEFA 2024/25 – Penalltitë për vendosin iberikët
Me plotë meritë Portugalia e supertalenteve dhe e RONALDOS, fiton për herë të dytë Ligën e Kombeve.
Nuno Mendez, i tregoi Jamalit, se kur bie në usta nuk të bëjnë punë lëpirset.
Është ende shpejt për ta marrë përdore Spanjën.
Spanja, para dy vitesh e fitoi Ligën e Kombeve me penallti kundër Kroacisë së Modriç, por sot penalltitë i shkuan më të mirit në fushë.
Sot nuk ishte një betejë mes profesorit veteran Ronaldo dhe fillestarit spektakolar Jamal, por mes Portugalisë dhe Spanjës…
Pas një barazimi spektakolar 2-2 në kohën e rregullt dhe shtesë, Portugalia ka rrëmbyer trofeun e Ligës së Kombeve UEFA, duke mundur Spanjën me penallti në finalen e zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut, të dielën mbrëma. Kjo ishte finalja e parë ndonjëherë në një kompeticion madhor mes dy përfaqësueseve iberike, një përballje që solli tension, emocione dhe spektakël futbolli.
Portugalia, e drejtuar nga trajneri Roberto Martínez, e kishte siguruar vendin në finale pasi mundi Gjermaninë 2-1 në një ndeshje historike – fitorja e parë ndaj “Pancerave” pas 25 vitesh. Por përballja me Spanjën kishte nuanca më personale: Martínez përballë vendlindjes së tij, dhe një histori jo fort e favorshme në sfidat e mëparshme kundër iberikëve fqinj.
Pavarësisht se Portugalia kishte dështuar të fitonte ndonjë nga dy përballjet e fundit me Spanjën (1 barazim, 1 humbje), dhe kishte shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet e fundit ndaj tyre, këtë herë gjërat morën tjetër rrjedhë. Ekipi portugez e konfirmoi formën e tij të shkëlqyer, duke shënuar për të nëntën herë radhazi në Ligën e Kombeve dhe duke e çuar ndeshjen deri në penallti, ku u tregua më i saktë.
Me këtë fitore, Portugalia e konsolidon statusin e saj si një nga kombëtaret më të suksesshme në Evropë në dekadën e fundit, duke shtuar një tjetër trofe prestigjioz në kabinetin e saj. Për Spanjën, mbetet zhgënjimi i një finaleje të humbur dhe dështimi për të përmbysur një statistikë që e ndjek që nga viti 2010.
Finalja konfirmoi edhe një herë se rivaliteti iberik në futboll është ndër më të bukurit në arenën ndërkombëtare. Fitorja e Portugalisë me penallti do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve, si një nga ato netë ku historia dhe sporti shkrihen në një.