Komisariati Digjital “në azil teknik” që nga viti 2022

 Policia ka humbur një nga armët më të forta të besimit qytetar

Një nga platformat më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, “Komisariati Digjital”, është jashtë funksioni prej më shumë se dy vitesh – që nga 14 korriku i vitit 2022. Dhe ndonëse jemi në mesin e vitit 2025, platforma që për vite me radhë i dha qytetarit një zë për të denoncuar në kohë reale ngjarje kriminale, abuzime apo raste urgjente, nuk është rikthyer ende në përdorim.

Krijuar në vitin 2016, në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri, aplikacioni digjital u kthye shpejt në një mjet efektiv komunikimi ndërmjet publikut dhe Policisë. Vetëm gjatë viteve 2020 dhe 2021, qytetarët dërguan mbi 106 mijë njoftime për incidente të ndryshme – shifër që reflekton nivelin e lartë të angazhimit dhe besimit te kjo formë e re ndërveprimi.

Por gjithçka u ndërpre në mesin e vitit 2022, pas valës së sulmeve kibernetike që paralizuan një sërë sistemesh shtetërore. “Komisariati Digjital” nuk u rikuperua kurrë. Dhe sot, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), kjo mungesë ka ndikuar në uljen e ndjeshme të denoncimeve dhe zvogëlimin e ndërhyrjes në kohë nga strukturat policore.

KLSH i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që, në bashkëpunim me AKSHI-n, të analizojnë pasojat e ndërprerjes dhe të gjejnë një zgjidhje deri më 30 qershor 2024. Por ky afat është tashmë tejkaluar, ndërsa platforma vijon të jetë vetëm një “projekt në specifikime teknike”.

Në një shkresë zyrtare të datës 28 janar 2025, Policia e Shtetit informon se projekti për rikthimin e aplikacionit është përfunduar dhe se aktualisht ndodhet në dorën e AKSHI-t, në fazën përgatitore për tenderim. Asnjë afat nuk jepet për riaktivizimin real të sistemit.

Ndërkohë, qytetarët që dikur raportonin nga celulari i tyre rrahje, grabitje, kërcënime, shpërthime apo raste abuzive, janë kthyer në spektatorë të pasigurisë së përditshme. Dhe Policia, pa këtë kanal të drejtpërdrejtë komunikimi, ka humbur një nga mënyrat më të shpejta për të qenë aty ku duhet  në kohën e duhur.

Publikuar nga Publik Media