Një treg miliardësh i mbrojtur nga policia
Bastet sportive janë kthyer në një nga aktivitetet më të përhapura në Shqipëri, pavarësisht ndalimit të tyre ligjor për vite me radhë. Qytete të tëra janë sot të mbuluara nga një rrjet informal ku miliarda euro qarkullojnë në të zezë, nën sytë dhe siç sugjeron ky investigim me mbrojtjen e strukturave të policisë dhe aktorëve të fuqishëm lokalë.
“Cironkat” në pranga, “peshkaqenët” të paprekur
Statistikat e Policisë së Shtetit për tre muajt e parë të këtij viti raportojnë 184 raste të identifikuara, me 55 arrestime dhe 129 ndjekje në gjendje të lirë. Por kush po arrestohet? Kryesisht “cironka” persona të zakonshëm që përdorin telefonin për të vendosur baste, ndërsa organizatorët e mëdhenj, “bosët e qyteteve” dhe kompanitë që qëndrojnë në majë të piramidës së basteve, mbeten të paprekur.
Nuk është vështirë që me një investigim të thjeshtë në çdo lokal, në çdo lagje të Tiranës, mund të gjenden persona që ofrojnë akses në usera bastesh. Ai vetë, ndonëse ka punë tjetër, pranon se “futet” në këtë aktivitet për të nxjerrë disa të ardhura.
Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë treg nga momenti kur u mbyllen bastet sportive.
Ata që ishin të ligjshëm kaluan “në të zezë”dhe tashmë kanë pozita edhe më të forta në treg.
Mësohet se bëhet fjalë për tre kompani “që bëjnë lojën”, të cilat më pas ua shesin platformat e menaxhimit “bosave të qyteteve” duke marrë prej tyre një pagesë 5 deri 10% të xhiros mujore në varësi të marrëveshjes, për shërbimin e ofruar.
Burime bëjnë me dije se këto personazhe njihen botërisht, janë thuajse të njëjtët që kanë patur në dorë tregun e basteve sportive para se të mbylleshin, por ndërkohë që policia arreston “cironka” me usera bastesh, askush nuk guxon të prekë “ treshen” që “bëjnë lojën” apo as personat që redaksia mësoi se kontrollojnë, organizojnë dhe mbrojnë në në terren bastet sportive nëpërmjet pagesave nën dorë ndaj drejtuesve të caktuar të policisë.
Skema e errët: kompani, bosë dhe usera
Tregu i basteve është i organizuar në tre nivele:
- Kompania që zhvillon platformën dhe vendos koeficientët,
- “Bosi i qytetit”, që menaxhon zonën dhe shpërndan usera,
- “Menaxherët”, që operojnë lokalet ose usera individualë.
Në krye të kësaj strukture ndodhen tre kompani të njohura, të cilat sipas burimeve ishin po ato që zotëronin tregun edhe para ndalimit zyrtar në vitin 2019. Sot ato operojnë në të zezë dhe, sipas investigimit, paguajnë rregullisht drejtues të policisë për të siguruar mbrojtje.
Bastet me logo, kafene me “usera”, skedina pa frikë
Në qytetet kryesore janë hapur me dhjetëra lokale që ushtrojnë bastet thuajse haptas. Emra si “CR7” apo “333” u denoncuan në media, por aktiviteti vijoi, ndonëse tabelat u hoqën. Këto lokale janë në pronësi ose kontroll të personave që kanë lidhje me strukturat kriminale, politikën dhe administratën lokale.
Pronari i lokalit merr një përqindje nga çdo biletë e vendosur:
- 4% për bast të vetëm,
- 8% për bast me shumë ndeshje,
- dhe deri në 30% të fitimit mujor në bashkëpunim me bosin e qytetit.
Ndërkohë, ata që veprojnë pa këtë “ombrellë” mbrojtëse janë viktimat më të zakonshme të aksioneve të policisë.
Një ekonomi e zezë që qarkullon miliarda
Të dhënat e grumbulluara nga investigimi tregojnë se tregu i basteve sportive në të zezë kap një vlerë prej afro 2 miliardë eurosh në vit, me aktorë lokalë dhe ndërkombëtarë që garojnë për copëzën e tyre nga kjo “tortë”.
Ndonëse qeveria ka shpallur legalizimin e basteve që nga shkurti 2024, procesi ka ngecur. Ministria e Financave flet për “akte nënligjore që po përgatiten”, por burime pranë Komisionit të Licencave sqarojnë se këto akte janë të gatshme që në verën e kaluar. Ngërçi duket të jetë mungesa e vullnetit për ta ligjëruar tregun, pasi në realitet ai funksionon më mirë në të zezë, ku përfituesit nuk paguajnë taksa, por thjesht japin rryshfet për të ruajtur zonat e tyre.
Çfarë ndodh realisht?
- Bastet vazhdojnë të luhen në çdo lagje.
- Policia arreston të vegjlit, por nuk prek asnjë nga “peshkaqenët”.
- Ministria e Financave hesht, ndërkohë që buxheti humbet qindra milionë euro nga informaliteti.
- Familjet shqiptare preken rëndë, ndërsa individë në hije pasurohen çdo ditë.