Rasti Becchetti dhe Antoneta Sevdari: Skandali 120 milion €
Një prokurore, një procedim penal abuziv dhe një faturë prej 120 milionë euro për shqiptarët
Po të doni të kuptoni se si ka funksionuar drejtësia shqiptare para dhe pas reformës, nuk ka nevojë të humbni kohë me teori: rasti Francesco Becchetti dhe prokurorja Antoneta Sevdari është një manual i gjallë i lidhjeve, favoresh, dështimeve, manipulimeve dhe mbulimeve institucionale brenda sistemit të drejtësisë.
Rasti i sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, ish-pronari i televizionit “Agon Channel”, është bërë objekt i një arbitrazhi ndërkombëtar në ICSID që ka përfunduar me një dënim prej mbi 120 milionë euro ndaj shtetit shqiptar, dënim që buron drejtpërdrejt nga veprimet e paligjshme dhe të dështura të prokurores Sevdari gjatë hetimit penal kundër tij.
Qeveria e Shqipërisë në vitin 2015 e kishte mbyllur një televizion, mbyllje kjo, e cila i ka kushtuar shtetit me padi në Gjykatën e Arbitrazhit.
Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, ish-pronari i televizionit “Agon Channel” paditi Shqipërinë duke kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 1.2 miliardë euro. Nga tre procese, ai fitoi vetëm njërin që lidhej me sekuestrimin e televizionit Agon Channel, që më pas u mbyll.
Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muça gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve asokohe deklaronte se dëmi mund të kishte qenë dhjetëfish më i madh, duke e hedhur përgjegjësinë në kurriz të drejtësisë vendase.
Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit gjykoi se pala shqiptare kishte shkelur ligjet ndërkombëtare.
Ishte kërcënimi kryeministrit Rama dhe kryetarit të bashkisë Veliaj që çuan në mbylljen e Agon Channel
1. Çështja ICSID dhe abuzimi që u kthye në katastrofë financiare
Në procedimin Hydro S.r.l. dhe të tjerë v. Republika e Shqipërisë (ICSID Case No. ARB/15/28), gjykata ndërkombëtare arriti në përfundimin se:
-
Hetimi penal ndaj Becchetti-t ishte i pajustifikuar, i pabazuar në prova, dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investitorëve.
-
U vërtetua se prokurorja Antoneta Sevdari, në cilësinë e përfaqësueses së akuzës, ka vijuar me masa si sekuestrime dhe urdhra arresti në kundërshtim me ligjin, edhe pasi ICSID kishte urdhëruar pezullimin e tyre (shih vendimin në https://www.italaw.com/cases/3958).
-
Madje edhe Interpol dhe autoritetet italiane kishin paralajmëruar Sevdarin për shkeljet e rënda procedurale që po kryente.
Gjykata ICSID citoi në mënyrë eksplicite:
-
mangësinë e njoftimeve të ligjshme për të pandehurit,
-
sekuestrim të pasurive pa vendime gjykate,
-
veprime të njëanshme në mungesë të provave,
-
mosrespektim të urdhrave të arbitrazhit ndërkombëtar,
-
dhe një hetim që sipas gjykatës, ishte një instrument për persekutim politik dhe ekonomik.
2. Skandali vazhdon në Londër: Gjykata britanike denoncon mashtrimin nga autoritetet shqiptare
Në vitin 2016, Gjykata e Magjistraturës së Westminsterit refuzoi kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Becchetti-t dhe De Renzis, pasi:
-
Qeveria shqiptare kishte dërguar një dokument pa emër, pa datë, me përmbajtje të rreme për ligjin shqiptar,
-
Gjyqtari e cilësoi këtë dokument si “manipulim të procesit” dhe “mashtrim përpara gjykatës”, edhe pse nuk provoi që ai të ishte dorëzuar me “keqbesim zyrtar”.
Vendimi është i qartë: kishte abuzim të thellë nga organet shqiptare dhe manipulim të qartë për të ndëshkuar një investitor që nuk i ishte përkulur pushtetit.
3. Dhe më pas, skandali institucional: Vettingu që nuk donte të shihte
Kjo është pjesa më e rëndë. E njëjta prokurore, Antoneta Sevdari, që me veprimet e saj çoi në një dënim kolosal të shtetit shqiptar, i është nënshtruar procesit të vettingut. Por, siç dëshmohet nga dokumentet e KPA, në mënyrë skandaloze:
-
Ka ekzistuar një denoncim me shkrim për hetimin e saj ndaj Becchetti-t, i dorëzuar pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
-
Ky denoncim është shënuar zyrtarisht në pikën 12 të faqes 7 të Vendimit të KPA, që shqyrton kërkesën e saj për rikthim në detyrë.
-
Por KPA as nuk e ka shqyrtuar, as nuk e ka përmendur në analizën përfundimtare. Asnjë arsye, asnjë justifikim.
Pra, pavarësisht dëmit të provuar, pavarësisht vendimeve ndërkombëtare që e përmendin me emër, pavarësisht denoncimit zyrtar në ONM, procesi i vetingut i Sevdarit është trajtuar si një formalitet i pastër, duke mbuluar autoren e një dëmi prej 120 milionë euro.
4. Favorizim midis kolegësh dhe një sistem që vetëamnistohet

Të gjithë ata që janë të përfshirë në proceset e vettingut, në KPA, apo edhe në ONM, e kanë ditur për këtë denoncim. E kanë parë. Dhe kanë zgjedhur të mos flasin. E kanë arkivuar, e kanë heshtur.
Ky është rasti ideal për të kuptuar se si funksionon drejtësia në Shqipëri, para dhe pas “reformës”.
Një hetim penal i ndërtuar mbi bosh, një prokurore që injoron arbitrazhin ndërkombëtar dhe mashtron gjykatat britanike, dhe më pas… të njëjtët kolegë, ish-kolegë, dhe miq që e “pastrojnë” në vetting me sy mbyllur.
5. Pse ky rast është më i rëndë se korrupsioni klasik
Ky nuk është thjesht një rast abuzimi financiar apo pasuror.
Ky është një rast që:
-
Shkatërron marrëdhëniet e Shqipërisë me investitorët ndërkombëtarë,
-
E bën vendin tonë të rrezikshëm për çdo investim serioz,
-
Dëmton rëndë besimin e publikut ndaj drejtësisë,
-
Dhe konsumon miliona nga buxheti i shtetit, që nuk janë para të askujt – janë para që mund të shkonin për pensionistët, për shëndetësinë, për shkolla.
6. A ka ende SPAK apo vetëm spektakël?
Pse nuk është marrë në hetim Antoneta Sevdari për këtë çështje? Pse SPAK nuk e ka thirrur?
Kur ka vendime ndërkombëtare që e përmendin me emër. Kur ka denoncime të ONM. Kur ka dëme të provuara mbi 120 milionë euro. Kur ka sekuestrime të paligjshme, mosrespektim të ligjit, manipulime ndërkombëtare.
Nëse SPAK nuk heton këtë rast atëherë për çfarë ekziston?
7. Thirrje publike për transparencë
Ky nuk është më vetëm një çështje juridike.
Është çështje publike. Shtetërore. Kushtetuese.
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë:
-
Hetim penal për Antoneta Sevdarin.
-
Rihapje të procesit të vetingut mbi këtë bazë.
-
Hetim të veçantë për anëtarët e KPA që heshtën denoncimin.
-
Kompensim për dëmshpërblimin që tashmë duhet ta paguajnë shqiptarët.
Fatura e kripur që paguajnë qytetarët, as Rama as Prokurorja Sevdari
Në një vend normal, për një prokurore që ka “djegur” 120 milionë euro nga taksat publike, do të ishin hapur dosje, do të ishin ngritur aktakuza, do të ishin dorëhequr njerëz.
Në Shqipëri, kjo ndodh vetëm kur dikush shan kryeministrin.
Ky artikull është pjesë e një serie hetimesh të “Publik.al” mbi kapjen dhe deformimin e drejtësisë shqiptare nëpërmjet emrave konkretë, vendimeve konkrete dhe dëmeve konkrete.
Nëse doni të shihni si funksionon kapja dhe auto-amnistia e sistemit gjyqësor ja ku e keni rastin e përsosur.
Për të gjitha dokumentet zyrtare të përmendura në këtë investigim:
https://www.italaw.com/cases/3958
https://www.italaw.com/sites/default/files/case-documents/italaw7644.pdf
Vendimi i KPA për Sevdarin: bashkëlidhur në faqen zyrtare të KPA
.Rishikim_vendimi_Antoneta_Sevdari_perfshire_pakicen_anonimizuar
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





