E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Blendi Gonxhe, personifikimi i konfliktit të interesit që Rama e ushqeu për ta flijuar në altar
Flash

Blendi Gonxhe, personifikimi i konfliktit të interesit që Rama e ushqeu për ta flijuar në altar

Nga biznesi i makinave me qira te ministri i “qingjave të kurbanit”

“Kurbani” i Edi Ramës, që ai vetë e përshkruante në vitin 2011, fliste për ‘desh’ e ‘qingja’ të butë. Por në ritualin e tij politik nuk mungojnë as ‘gjela deti’ me gushë të fryrë, të cilin para se ta therin për sebepe, e ngopin mirë e mirë që të bëhet sa më i dhjamosur.

Në këtë rol, duket se ka hyrë një nga shërbëtorët më të zellshëm të Ramës – Blendi Gonxhe. Kryeministri e ngriti lart dy vitet e fundit, e bëri ministër me dy dikastere, e nxori deputetin më të votuar dhe madje hodhi fjalën se do ta katapultonte si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Por, sapo futi këmbët në majën e piramidës, Gonxhe u bë subjekt i SPAK-ut.

Gonxhe, ministri që shpërtheu si “gjeli me gushë të fryrë”

Dueli i tij publik me deputetin Klevis Balliu, i cili i kujtoi investigimet për aferat e dy ministrive që drejton, nuk ishte gjë tjetër veçse shkumëzimi i një njeriu në panik. Sepse, nëse ka një zyrtar që mishëron plotësisht konfliktin e interesit, ky është Blendi Gonxhe. Dhe kjo nuk është thjesht çështje morali politik, por e parashikuar qartë në Kodin Penal.

Rikthyer nga Barcelona rreth viteve 2000, pas akuzave për hapjen e portës së digës së Liqenit Artificial, Gonxhe nisi biznesin e makinave me qira në Tiranë. Shpejt bleu një flotë makinash luksoze, të cilat i jepte me qira për evente VIP dhe për delegacionet shtetërore, pasi parku i automjeteve qeveritare kishte përfunduar në skrap.

Kompania e tij punoi edhe në kohën e Sali Berishës, por lulëzoi me ardhjen e Ramës në pushtet. Ajo u kthye në referencën kryesore të institucioneve për transportin e personaliteteve.

Nga biznesmen në ministër  një konflikt interesi i pastër

Rregullat e shtetit për tendera dhe kontrata publike janë të qarta. Një ministër nuk mund të mbajë në dorë edhe timonin e qeverisjes, edhe timonin e biznesit privat që përfiton nga shteti. Zgjidhja do të ishte e thjeshtë: shis aksionet, hiq dorë nga përfitimi. Por Gonxhe zgjodhi rrugën tjetër – ia kaloi të gjitha bashkëshortes.

Një skemë e njohur. Kujtojmë rastin e Alqi Bllakos, i cili u dënua sepse i dha një rol formal babait të tij në ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë, mjetet e kompanisë së Gonxhes kanë shërbyer për një kohë të gjatë për drejtuesit e inceneratorëve. Ai jo vetëm nuk u hetua, por u shpërblye me post ministerial.

Kurban i ditur, i mbajtur me vetëdije

A nuk e dinte Edi Rama këtë konflikt monstruoz interesi? Sigurisht që e dinte. Por si çdo “kurban” në ritualin e tij politik, ai e ushqeu me pushtet dhe privilegje, duke e lënë të fryhej si “gjeli i detit para Vitit të Ri”. Dhe në momentin e duhur, kur SPAK-u afrohet, Gonxhe bëhet mish për flijim, një tjetër gur i sakrifikuar për të mbajtur në këmbë themelet e mazhorancës.

Sepse ky është stili i Ramës: çdo mandat ka një kurban me emër, që gjakoset për të ruajtur pushtetin. Dhe sot, emri i shkruar në listë është Blendi Gonxhe.

Pra, nga biznesi i makinave me qira, tek ministri i dy ministrive, Gonxhe është bërë shembulli i gjallë se si politika shqiptare nuk njeh kufi mes shtetit dhe biznesit privat. Ai është personifikimi i konfliktit të interesit, një zyrtar që Rama e ngjizi me mëkat për ta therur sot si “qingj i kurbanit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.