Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka deklaruar mbrëmjen e djeshme në një intervistë për Top Channel se do të mbështesë kandidaturën e Florjan Binajt për postin e kryebashkiakut të Tiranës.
Shehaj theksoi se, megjithëse është i zhgënjyer nga mënyra se si Partia Demokratike shpalli emrin e kandidatit pa konsultim paraprak me aleatët opozitarë, mbështetja për Binajn do të jetë e plotë, pasi ai përmbush kriterin kryesor të përcaktuar nga partia “Mundësia”: të jetë një figurë jopolitike.
“Hapëm një negociatë me PD dhe opozitën, kërkuam që kandidati të ishte jashtë politikës. Jemi të zhgënjyer nga mënyra si PD u soll me këto negociata duke shpallur emrin pa u konsultuar, por ne do ta mbështesim politikisht, sepse nuk mund të dalim kundër parimit tonë. Ai është jashtë politikës, i përmbush kriteret dhe nuk mund të dalim jashtë këtij kriteri pavarësisht sjelljes së PD”, u shpreh Shehaj.
Me këtë deklaratë, Florjan Binaj zyrtarizohet si kandidati i mbështetur nga një spektër i gjerë i forcave opozitare. Përveç mbështetjes nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj tradicionalë, ai ka marrë përkrahje edhe nga “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, “Nisma Thurje” e Endri Shabanit, si dhe Partia “Mundësia” e Agron Shehajt.







