Subvencionet në ‘ajër’, si u grabitën milionat e BE-së në Greqi
Autoritetet greke kanë vënë në pranga 37 persona në kuadër të një hetimi të gjerë për një prej aferave më të mëdha financiare në sektorin bujqësor të Bashkimit Evropian. Skandali lidhet me përvetësimin e fondeve të programit evropian të subvencioneve, të menaxhuara nga agjencia shtetërore OPEKEPE, me vlerë prej miliona eurosh.
Operacionet e policisë u zhvilluan paralelisht në Athinë, Selanik, Janinë dhe Kretë, pas bashkëpunimit mes autoriteteve greke, Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) dhe Agjencisë Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF).
Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë paraqitur deklarata të rreme për sipërfaqe toke që në fakt nuk ekzistonin, duke përfshirë madje zona arkeologjike, aeroporte ushtarake dhe pjesë të malit Olimp. Kjo skemë mashtrimi ka shkaktuar një dëm financiar që llogaritet në mbi 19.6 milionë euro për buxhetin e BE-së.
Hetimi ka identifikuar 324 përfitues të paligjshëm dhe 125 persona janë tashmë të pandehur, për subvencione të përfituara gjatë viteve 2018–2024.
Gjatë një vizite në Athinë, prokurorja e përgjithshme evropiane Laura Kövesi e cilësoi OPEKEPE si “një shembull të korrupsionit dhe nepotizmit”, duke kritikuar ashpër sistemin grek për mungesën e mekanizmave efektivë në parandalimin dhe raportimin e abuzimeve.
“Për shumë vite, persona të lidhur me administratën publike kanë vjedhur fondet që i përkisnin fermerëve të ndershëm. Këto para duhej të ndihmonin bujqësinë, jo të përfundonin në vila apo makina luksoze,” – deklaroi Kövesi.
Pas zbulimit të aferës, Komisioni Evropian ka vendosur ndaj Greqisë një gjobë prej rreth 400 milionë eurosh. Deri më tani, hetuesit kanë sekuestruar 22 milionë euro nga më shumë se 1,000 llogari bankare të dyshuara, ndërsa vetëm një prej të arrestuarve në Kretë dyshohet se ka përvetësuar 2.5 milionë euro.
Agjencia OPEKEPE menaxhon çdo vit mbi 3 miliardë euro subvencione për rreth 680 mijë fermerë në të gjithë Greqinë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se rasti mund të dëmtojë besueshmërinë e vendit në raport me Brukselin dhe financimet e ardhshme për sektorin bujqësor, duke theksuar se “pavarësisht kostos politike, përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



