Trondit deputeti: Nano bëri shumë dëme, Zoti pastë mëshirë për të
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shprehur një qëndrim kritik ndaj figurës së tij politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Strazimiri u shpreh se Nano kishte potencialin për të reformuar të majtën shqiptare pas vitit 1991, por sipas tij, nuk pati guximin e duhur për ta bërë.

“Kam bindjen se Fatos Nano, kur pranoi të drejtojë Partinë e Punës në 1991, mendonte seriozisht se mund ta reformonte për ta shndërruar në një forcë të majtë evropiane. I kishte të gjitha cilësitë për ta bërë – qytetar, intelektual, i lexuar – por nuk pati kurajon që në momentin e parë, në qershor 1991, kur ‘shndërrim’ të saj e quajti thjesht ndërrimin e emrit,” shkruan Strazimiri.
Sipas tij, mungesa e vendosmërisë së Nanos në atë periudhë solli pasoja për vendin. Deputeti demokrat thekson se Nano e drejtoi Shqipërinë “mbi bazën e moskurajos”, duke thelluar problemet që kishte trashëguar vendi nga komunizmi.
“Në fund, ‘popullit’ të Shqipërisë i la si mallkim pasardhësin e vet dhe iku të jetojë jashtë, i bindur se do ta kërkonin sërish kur ta njihnin se kush ishte,” vijon më tej Strazimiri.
Ai e mbylli reagimin me tone të forta, duke thënë se ndonëse Fatos Nano nuk jeton më, dëmet që la pas janë ende të pranishme.
“Fatos Nano nuk është më! Dëmi që la pas, po! Zoti pastë mëshirë për të,” përfundon Strazimiri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



